Tërhiqet bashkia nga projekti për fotovoltaikët në Kaninë? Projektvendimi ‘zhduket’ nga rendi i ditës

Tërhiqet bashkia nga projekti për fotovoltaikët në Kaninë? Projektvendimi ‘zhduket’ nga rendi i ditës

Ditën e sotme ishte parashikuar që në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të diskutohej edhe për një çëshjte me shumë rëndësi, dhënien e mbi 800 hektarëve tokë në Kaninë për park fotovoltaik.

Teksa projektvendimi (që kishte plot mangësira dhe nuk ishte bërë teansparenca e plotë, sipas opozitës) kishte kaluar të gjitha hallkat juridike në bashki, u vendos që të mos jetë në rendin e ditës.

Arsyeja sipas kryetares së Këshillit Bashkiak Vlorë, Elipiniqi Mërkuri, lidhet me mungesën e dokumentacionit nga ofertuesi por edhe se trualli nuk është në pronësi të bashkisë.

“Nga dokumentacioni i marrë nga Kadastra më datë 18.07.2025, me qëllim plotësimin e dokumenteve për mbledhjen e Këshillit, rezulton se trualli në zonën e Kaninës ka vetëm një vërtetim hipotekor si truall në emër të Bashkisë, por Bashkia Vlorë nuk figuron si zotëruese e titullit të pronësisë së këtij trualli”, shkruan Mërkuri.

Por pavarësisht kësaj tërheqje nga bashkia për një çështje shumë të diskutuar dhe të kundërshtuar nga banorët e Kaninës dhe opozita, nuk u jepen përgjigje disa pyetjeve.

Bashkia Vlorë ofertën e parë e ka marrë në 29.04.2024, pse nuk janë verifkuar dokumentacionet e pronësisë së truallit që nga ajo kohë?

Pse bashkia shkoi të fliste edhe me banorët duke dalë garante se ky investim do të ishte edhe në favor të tyre?

Si kaloi projektvendimi në hallkat e tjera në bashki, nga oferta e ardhur deri në Këshill Bashkiak, nëse nuk do ishte konstatuar mungesa e dokumentacionit dje, si do votohej në këshill?

NJOFTIMI I PLOTË:

Në përgjigje të interesimit të disa mediave dhe në vazhdën e dizinformimit nga disa të tjera, sqarojmë se:

Është e vërtetë që prej 16 muajsh Bashkia Vlorë ka marrë disa kërkesa për një truall me sipërfaqe 831.7 ha, ku subjektet kërkuese synojnë të ndërtojnë një park fotovoltaik. Kërkesat janë depozituar përkatësisht në këto data:

1. 29.04.2024

2. 20.05.2024

3. 23.05.2024

Së fundmi, kërkesa është miratuar për t’iu përcjellë Këshillit Bashkiak.

Megjithatë, nga dokumentacioni i marrë nga Kadastra më datë 18.07.2025, me qëllim plotësimin e dokumenteve për mbledhjen e Këshillit, rezulton se trualli në zonën e Kaninës ka vetëm një vërtetim hipotekor si truall në emër të Bashkisë, por Bashkia Vlorë nuk figuron si zotëruese e titullit të pronësisë së këtij trualli.

Në këto kushte, Këshilli Bashkiak nuk mund të marrë një vendim në lidhje me këtë kërkesë.

Të gjitha komentet dhe insinuatat e tjera janë keqkuptime ose dizinformime me prapavijë keqdashëse.

Duke ju uruar një fillim jave sa më të paqtë, ju njoftojmë se nesër do të vijojmë me mbledhjen dhe shqyrtimin e projekt-vendimeve të tjera të rendit të ditës.