Rezoluta e miratuar ditët e fundit e Parlamentit Europian lidhur me procesin e zgjerimit, ku është vlerësuar dhe progresi i Shqipërisë, ka kërkuar më shumë vëmendje për mbrojtjen e mjedisit.
Kjo rezolutë duket se jep një sinjal të qartë lidhur me masat që duhet të marrë ekzekutivi shqiptar për mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetit, që sipas BE-së janë të panegociueshme në rrugën e integrimit.
Eurodeputetët në këtë dokument kërkojnë nga Shqipëria që të ndërmarrë hapa konkretë për të mbrojtur trashëgiminë natyrore, duke përfshirë edhe qytetarët në vendimarrjen mjedisore, sipas detyrimit për t’ju përmbajtur konventave ndërkombëtare të Aarhus dhe Espoo.
Edhe pse përshëndet vendimin e shpalljes së Vjosës Park Kombëtar, Parlamenti Evropian i bën thirrje Shqipërisë të tërheqë ligjet dhe projektet kontroverse që rrezikojnë mjedisin. Rezoluta e Parlamentit Europian shpreh shqetësime lidhur me ndryshimet e fundit ligjore përsa i përket Ligjit për Zonat e Mbrojtura në Shqipëri, që sipas tyre i hap rrugën infrastrukturave të mëdha turistike në zona të ndjeshme ekologjike.
“Deputet e PE bënë thirrje që këto ndryshime ligjore të tërhiqen menjëherë në mënyrë që të sigurohet një përputhje me standardet mjesdisore të BE-së”, shkruhet në një përmbledhje të rezolutës të publikuar nga organizata EuroNatur.
Dokumenti vë në pah gjithashtu shqetësimin lidhur me ndërtimin e Aeroportit te Vlorës në peisazhin e mbrojtur Vjosë-Nartë.
PE kritikon gjithashtu ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura në Shqipëri, të cilat rrisin fleksibilitetin për zhvillime ekonomike dhe turizëm masiv që mund të jenë të dëmshme për mjedisin. Kjo prirje reflekton një tendencë rajonale ku interesat ekonomike shpesh mbizotërojnë mbi praktikat e zhvillimit të qëndrueshëm, në dëm të natyrës.
Gabriel Schwaderer, Drejtor Ekzekutiv i EuroNatur, thekson se raporti i zgjerimit identifikon çështje të shumta mjedisore në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në menaxhimin e zonave të mbrojtura dhe ligjeve të lidhura me biodiversitetin.
“Ne mbështesim fuqimisht mesazhin e Parlamentit Europian për Shqipërinë. Qeveria duhet të tregojë seriozitetin lidhur me anëtarësimin në BE, duke ndaluar projektet që shkelin ligjet e mbrojtjes dhe që dobësojnë ruajtjen e zonave të mbrojtura”, tha Schwaderer.
Ai bën thirrje për ndalimin e menjëhershëm të ndërtimit në vendin e caktuar të aeroportit dhe një rivlerësim të plotë të projektit në përputhje me qëllimet e ruajtjes së natyrës.
“Progresi në negociata është i mundur vetëm nëpërmjet progresit konkret në mbrojtjen e natyrës”, vijoi ai.

