Projekti i shumë komentuar i aeroportit të Vlorës është vënë nën hetim nga Struktura e Posaçme Anti Korrupsion (SPAK). Ky fakt bëhet nga vetë organi i akuzës nga përditësimi regjistrit të kërkesave dhe përgjigjeve për të drejtë informimi.
Në këtë regjistër shënohet se një qytetar, emri i të cilit nuk jepet për arsye të mbrojtjes së të dhënave personale, ka pyetur SPAK nëse ka një hetim mbi këtë kontratë koncesionare, nëse ky hetim është nisur kryesisht apo në bazë të një kallëzimi, si dhe në çfarë faze gjenden hetimet.
Lidhur me këtë kërkesë për informacion, SPAK përveç përgjigjes që i ka dhënë qytetarit ka informuar edhe publikun për këtë çështje. “Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedim penal në lidhje me kontratën koncensionare të Aeroportit të Vlorës. Ky procedim është në në fazën e hetimeve paraprake”, thuhet në përgjigjen e publikuar.
Debati për Aeroportin e Vlorës
Aeroporti i Vlorës që po ndërtohet shumë afér fshatit Akërnni, duhej të kishte përfunduar punimet por ende duket larg dita kur nga pista e tij të ngrihen dhe ulen avionë me pasagjerë.
Ky aeroport po ndërtohet me një kontratë koncesionare të financuar nga taksapaguesit shqiptarë brenda zonës së mbrojtur të Nartës në jug të Shqipërisë, ku është kundërshtuar nga shoqatat për mbrojtjen e mjedisit.
Kontrata për ndërtimin u fitua nga një konsorcium i udhëhequr nga biznesmeni Behgjet Pacolli me një kompani turke, e cila plotësonte kriterin e pasjes së eksperiencës në ndërtim aeroportesh në procesin e prokurimit.
Ligjshmëria e dhënies së kontratës së koncesionit dhe e lejes së ndërtimit është në pikëpyetje pasi ligji për Zonat e Mbrojtura nuk lejonte zhvillime të tilla në kohën kur u miratua projekti.
Projekti kontrovers i Aeroportit të Vlorës pritet t’u kushtojë taksapaguesve rreth 138 milionë euro ndërsa sipas shumë ekspertëve rrezikon në mënyrë thelbësore zonën natyrore të mbrojtur të Lagunës së Nartës

