Urdhri i Kryeministrit nuk diskutohet, të gjithë zyrtarët e lartë në terren për të liruar hapësirat publike

Urdhri i Kryeministrit nuk diskutohet, të gjithë zyrtarët e lartë në terren për të liruar hapësirat publike

Urdhri i Kryeministrit Edi Rama nuk është diskutuar nga administrata e Bashkisë Vlorë. Fundjava i ka gjetur të gjithë punonjësit në punë, ku ka nisur një askion i gjerë për lirimin e hapësirave publike.

Një qytet i zhytur në kaos, ku kalimi në trotuare është sfidë dhe gjetja e një parkimi është mision i pamundur, mund të ketë frymëmarrje brenda pak javësh.

Kreu i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, pa kërkuar ndjesë për qytetarët për kaosin e krijuar në qytetat, ka dalë vetë në terren për të ndjekur nga afër aksionin për lirimin e hapësirave. Në një prononcim për mediat, Dredha pohoi se aksioni do të vijojë çdo ditë deri në rikthimin e të gjitha hapësirave publike për qytetarët.

Në terren ka dalë edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili tashmë ka një detyrë të re, të ristrukturojë drejtoritë e Vlorës. Për mediat Vengu pohoi se të gjithë janë në terren për të përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve.

Sa i takon titullarëve të institucioneve, ne jemi një skuadër që bëjmë shpesh rivlerësime e ndryshime. Nën udhëheqjen e kryeministrit që e ka me merak Vlorën dhe silësinë e shërbimeve do bëjmë një rivlerësim tërësor në çdo qelizë të administratës shtetërore. Jemi në punë,  nuk do vonojmë për të patur konkluzione të performancës së institucioneve“, pohoi ministri i Mbrojtjes.

Përveç të shtunës paradite, aksioni vijoi edhe gjatë mbrëmjes për të zhvendosur qindra makina që ishin parkuar në vende të ndaluara, apo që ishin brenda rrethimeve mes pallateve që janë pronë e përbashkët.

Të gjitha automjetet e bllokuara janë transportuar në pika të caktuara bllokimi, ku më pas ndaj pronarëve të tyre vendosen edhe masa administrative.

Sipas autoriteteve, aksioni do të vijojë deri në orët e para të mëngjesit, me qëllim lirimin e plotë të të gjitha hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme.

Gjurmon.al po ndjek nga afër këtë aksion të strukturave të Bashkisë Vlorë dhe Policisë së Shtetit, nëse do të zbatohet si duhet apo do të lihen në mes. Në ditët në vijim do të sjellim për ju histori nga qyteti i Vlorës për të verifikuar nëse lirimi i hapësirave është marrë seriozisht nga institucionet.