Vlora (më në fund) po pastrohet, zyrtarët e bashkisë zbresin në terren

Vlora (më në fund) po pastrohet, zyrtarët e bashkisë zbresin në terren

E diela ishte një ditë pune për zyrtarët e Bashkisë Vlorë. Duke nisur nga kryetari Ermal Dredha dhe gjithë administrata u shpërnda në terren për të kryer punën që duhej ta bënte sektori i pastrim gjelbërimit, mbledhjen e mbetjeve.

Të ndarë në disa zona të qytetit, zyrtarët e bashkisë që në orët e para të mëngjesit nisën një aksion të gjerë pastrimi, për të zgjidhur një problem të akumuluara ndër vite në disa prej zonave më të ndjeshme mjedisore.

Ky aksion është pjesë e operacionit të ndërmarrë nga Task-Forca e krijuar pak javë më parë, me qëllim garantimin e pastërtisë, lirimin e hapësirave publike dhe rikthimin e standardeve të munguara në disa zona të qytetit.

Kjo nismë vjen si pasojë e urdhrit të kreut të qeverisë që kërkoi pastërti në Vlorë dhe hapësira të lira.

Kreu i Bashkisë Vlorë, ndoqi nga afër aksionin në Pyllin e Sodës, vend i cili prej kohësh është i ndotur pavarësisht se zyrtarët vendor kanë shkuar dhe herë të tjera për ta pastruar.

Dredha pas aksionit të pastrimit pohoi se puna për transformimin e qytetit do të vijojë pa ndërprerje, ndërsa paralajmëroi masa të rrepta ndaj çdo subjekti apo individi që cenon mjedisin apo zaptimet e hapësirave publike.

“Ishte bërë një thirrje për të ndërgjegjësuar komunitetin. Pra e gjithë administrata e bashkisë dhe drejtoritë në varësi të institucioneve qendrore kanë dalë të gjithë në terren duke u shpërndarë në zona të caktuara të qytetit që kemi parë si më problematike, duke bërë një aksion pastrimi por edhe për të dhënë një shembull që duhet të vazhdojë kjo gjë.

Pra nuk është se e kemi bërë sot apo s’e kemi bërë më përpara por megjithatë është edhe një thirrje që i bëjmë të gjithë komunitetit, që të jenë të vëmendshëm se ku hedhin mbetjet, ku e kanë vendet dhe duke zbatuar oraret sa i përket bizneseve në Vlorë. Duhet të jenë të kujdesshëm se kemi çuar fletëthirrje në çdo biznes që të respektojnë orarin kur nxjerrin mbetjet. Na e bëjnë punën më të thjeshtë  ne, dhe e mbajmë qytetin më të pastër. Mjedisi është gjithçka që na përket të gjithëve, jo vetëm bashkisë.”, u shpreh Dredha.

Sipas tij aksioni do të vijojë gjatë gjithë sezonit dhe paralajmëroi masa ndëshkuese për të gjithë shkelësit e ligjit.