Qendra historike e Vlorës e njohur si Muradia, është një nga zonat ku hapësira publike është zaptuar nga privatët. Tavolinat e lokaleve që nisin brenda lokaleve përfundojnë në rrugë, duke penguar shpesh herë dhe kalimin e qytetarëve.
Problemi ka muaj, ndoshta vite që ekziston, që në momentin kur kjo zonë u restaurua, por u desh një vizitë e kreut të qeverisë, që problemi të shihej edhe nga autoritetet vendore.

Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në Vlorë, përveç urdhrit për largimin e gjithë drejtorëve, kërkoi dhe lirimin e hapësirave publike.
Si kur të mos kishte ndodhur asgjë dhe zaptimi të kishte ndodhur ditën që kreu i ekzekutivit të ishte në Vlorë, bashkia ka nisur një aksion për lirimin e rrugëve dhe trotuarëve.
“Ka nisur nga Qendra Historike, aksioni i Policisë Bashkiake për lirimin e hapësirave publike, të zëna nga bizneset në mënyrë abuzive! E njëjta praktikë do të ndiqet në të gjithë qytetin, gjatë ditëve në vijim, deri në rikthimin e ambienteve të përbashkëta për banorët!”, është ky postimi i kreut të Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, bashkëngjitur disa fotove që duken punonjët e Policisë Bashkiake duke liruar hapësirat e përbashkëta.
Teksa aksioni premtohet të vijojë në gjithë qytetit, askush nuk jep përgjigje pse janë lejuar zaptimet e këtyre hapësirave. Por nga ana tjetër pavarësisht lirimit, a ka përgjegjës kjo situatë?

