Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e sotme në lagjen nr. 4 të qytetit të Sarandës, ku një qytetar ka mbetur i plagosur pas një konflikti fizik. Rreth orës 19:10, shtetasi Adil Veli, 56 vjeç, dyshohet se është goditur me një send të fortë, konkretisht me tytën e një pistolete, gjatë një sherri ende të paqartë.
Burime zyrtare nga Policia bëjnë me dije se gjatë momentit të dhunës, arma dyshohet të jetë shkrepur në mënyrë të pavullnetshme në ajër, pa shkaktuar lëndime të tjera apo dëme materiale. Nga këqyrja paraprake në vendin e ngjarjes, është gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë arme zjarri, që do të shërbejë si provë materiale në hetim.
I dëmtuari është transportuar menjëherë në spitalin e Sarandës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, grupi hetimor po punon intensivisht për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes, për të identifikuar autorin e dyshuar dhe për të kryer dokumentimin e plotë ligjor të këtij episodi dhune që ka shqetësuar banorët e zonës.

