Mungesa e një terminali për autobusët në Vlorë, duket se po pranohet edhe nga Bashkia Vlorë. Pasi larguan të gjithë autobusët nga zonat brenda qytetit dhe i vendosën në hyrje të Vlorë, bashkia duket se po pranon problemin e sigurisë së pasagjerëve.
Prej dita ditësh autobusat kanë ndaluar në hyrje të qytetit, por siguria e pasagjerëve ka qenë në rrezik. Këtë të diel bashkia njofton se është arritur një marrëveshje mirëkuptimi mes drejtuesve të autobusëve, Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake, për organizimin e stacionit të përkohshëm të autobusëve ndërqytetas dhe ndërkombëtarë, deri në krijimin e një terminali të mirëfilltë.
Sipas bashkisë “të gjitha palët janë angazhuar për të shtuar masat dhe kujdesin, me qëllim parandalimin e rreziqeve që paraqet qarkullimi në rrugë”.

Por më shumë se dy javë më vonë bashkia kujtohet edhe për sinjalistikën. “Ndërmarrja e Shërbimeve Publike, do të pajisë hapësirën me stacione pritjeje, sinjalistikën e nevojshme rrugore dhe tualete të lëvizshme”, citohet në njoftim.
Pavarësisht kësaj marrëveshje bashkëpunimi, shoqata e transportit ndërqytetas kërkon më shumë kushte dhe ndërtimin e një terminali me kushte bashkëkohore. Nga ana tjetër qytetarët ankohen për largësinë që është ky stacion i përkohshëm, pasi siç thonë duhet që të marrin taksi për të shkuar në brendësi të qytetit.
youtube.com/watch?v=MAeENoNrzPI&feature=youtu.be
Edhe nga vëzhgimi i bërë nga Gjurmon.al problematikat ishin të shumta. Qytetarët përveç se rrezikonin jetën nga mjetet e tjera që kalojnë në rrugë detyrohen që të presin në diell dhe në shi. Nuk kanë asnjë stol për t’u ulur dhe nuk ka asnjë qendër informacioni për oraret dhe destinacionet se ku shkojnë të gjithë autobusët.
Njësoj si më parë kur stacioni ishte në brendësi të qytetit edhe tani që bashkia ka caktuar këtë vend të ri, kushtet janë njësoj, po me një problem më shumë distanca më e largët për të mbërritur në destinacion.

