Rrugët e dëmtuara në Vlorë, bashkia pranon problemin dhe premton zgjidhje

Rrugët e dëmtuara në Vlorë, bashkia pranon problemin dhe premton zgjidhje

Rrugët e dëmtuara nga punimet për ujësjellësin duket se janë bërë një shqetësim për të gjithë banorët e Vlorës. Prej më shumë se një viti shumica e rrugëve në qytetit janë me kanale në mes dhe gropa që rrëzikojnë dëmtimin e mjeteve, por edhe jetën e shoferëve.

Ky problem është raportuar disa herë nga Gjurmon.al, ku në disa zona është gjetur një zgjidhje e në disa të tjera situata vijon të jetë njësoj.

Kryetarja e Bashkisë Vlorë, Bruna Mersini, në një postim në mediat sociale pohon se e mirëkupton shqetësimin e qytetarëve dhe premton zgjidhje. Mersini bën me dije se ka zhvilluar një takim me përfaëësuesit e KfW, zbatuesit të projektit të ujësjellësit të ri dhe ka marrë garanci që shumë shpejt nuk do ketë më rrugë me kanale në Vlorë.

Kjo situatë ka krijuar vështirësi për banorët dhe nuk mund të zgjasë më shumë se ç’duhet. Për këtë arsye zhvillova një takim me përfaqësuesit e KfW, zbatuesit e këtij projekti që është i rëndësishëm për Vlorën por po kaq e rëndësishme është edhe përditshmëria juaj. Përcaktimi i afateve të qarta për përfundimin e punimeve dhe rikthimi sa më parë i rrugëve në gjendjen e mëparshme është domosdoshmëri!”, shkruan Mersini.

Zgjidhje për këtë problem është premtuar edhe herë të tjera, por sërish shumica e rrugëve në Vlorë vijojnë të jenë me kanale në mes. Projekti për ujësjellësin e ri të Vlorës po zgjatet në kohë dhe po kthehet në një problem serioz për qytetarët.