Banorët e Gorrishtit në Bashkinë Selenicë shumë shpejt do të kenë një rrugë të re, jo të asfaltuar por me çakëll. Edhe pse investimi duket se është modest sërish Bashkia Selenicë nuk e ka investuar 100% këtë rrugë që u shërben dhjetëra banorëve që jetojnë në këtë fshat dhe qindra të tjerëve që kanë tokat e tyre në këtë zonë.
Në mediat sociale janë shpërndarë thirrje që banorët të kontribuojnë me para për vijimin e punimeve të kësaj rruge. Shoqata “Zëri i Gorrishtit” teksa ka treguar ecurinë e punimeve në këtë segment rrugor u bënë thirrje banorëve të zonës që të japin ndihmën e tyre.
“Në sajë të këtyre punimeve intensive dhe për të siguruar përfundimin e plotë të rrugës me çakëll, është e domosdoshme të vijojmë me kontributin tonë të përbashkët financiar. Çdo ndihmë, sado e vogël, është një hap më pranë realizimit të këtij qëllimi të përbashkët për komunitetin tonë”, citohet në njoftim.

Më tej kjo shoqata publikon edhe të dhënat bankare ku qyterarët mund të japin ndihmat e tyre. “Çdokush nga ju qe eshte skeptik, gjithcka do te jete trasparente ne çdo kontribut te hedhur. Te gjithe sebashku do ta kthejme Gorrishtin si gjithe fshatrat dhe krahinat e tjera”, shtohet në njoftim.
Kjo nuk është hera e parë që banorët e një fshati në Bashkinë e Selenicës të ndërtojnë vetë rrugën. Gjurmon.al ka treguar edhe rastin e fshatit Mazhar në Njësinë Administrative Kotë, ku banorët me paratë e tyre ndërtuan rrugën.
Bashkia Selenicë në atë kohë edhe pse kishte një kontribut modest në media sociale e reklamoi sikur ndërtimin e rrugës e kishte kryer ajo.

