Bashkisë Vlorë do t’i shtohen edhe 22 punonjës të tjerë. Sipas vendimit më të fundit të bashkisë, nga buxheti i këtij institucioni do të paguhen edhe 8 vrojtues plazhi, 8 pastrues të plazheve dhe 6 punonjës shërbimi për strehimin e kafshëve
Në vendimin e siguruar nga Gjurmon.al citohet se numri i përgjithshëm i punonjësve nga 405 që është aktualisht do të jetë 427.
“16 pozicione nga të cilët 8 do të shërbejnë për punonjës sezonale si vrojtues plazhi dhe 8 punonjës për mirëmbajtjen e plazheve publike, gjatë periudhës së sezonit turistik”, thuhet në vendim.

Ndërkohë pas ngjarjes së rëndë ku një qen sulmoi një fëmijë në Lungomare, Bashkia Vlorë ka menduar edhe për shtimin e punonjësve që do të shërbejnë në qendrën e strehimit të kafshëve, duke shtuar 6 të tillë.
Tashmë me këtë vendim do të shtohet edhe buxheti për pagat në bashki. Kjo nuk është hera e parë që Bashkia Vlorë shton numrin e punonjësve. Në vitet e fundit sipas të dhënave nga raportet e monitorimit të administratës, Bashkia Vlorë ka shtuar vit pas viti punonjësit ku shumë herë është bërë dhe objekt debati në mbledhjet e Këshillit Bashkiak.

