Kryetari i Bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj ka reaguar në lidhje me protestën e zhvilluar të dielën nga banorët e 6 fshatrave, të cilët kërkojnë rehabilitimin e rrugës. Me anë të një postimi në mediat sociale, Bellaj u është përgjigjur banorët të Velçës, Bashajt, Matogjinit, Vërbasit, Ramicës dhe Vërmikut, duke premtuar se shumë shpejt do të nisë puna për ndërtimin e rrugës.
“Sipas fjalës së dhënë në një takim me burrat e tabanit të zonës, jo të kafeneve, Bashkia Selenicë do të filloj 3.5 Km e para me fondet e saj dhe pastaj Drejtuesi Politik do të loboj per realizimin e te gjithe projektit”, pohon kreu i Bashkisë Selenicë.
Qytetari i parë i Selenicës shton se bashkia në 14 Korrik 2025 “ka prokuruar dhe hedhur tenderin, proçedurën për realizimin e 3.5 km të para me fondet e saj duke mbajt fjalën e dhënë”.
Por përveç premtimeve, Bellaj u përgjigjet dhe ashpër banorëve dhe i akuzon se në fjalët e tyre në protestës kanë thënë të pavërteta.
“Do të donim që organizatorët e protestës të pyesnin apo të merrnin një informacion të përditësuar përpara se të protestojnë duke bllokuar rrugë apo anatemuar drejtues të çfarë do niveli dhe duke mos u thënë të vërtetën edhe banorëve që dalin në protest sepse me një të drejt jetike nuk duhet ta përdorin disa persona që në fshat shkojnë si turist”, shkruan më tej ai.
REAGIMI I PLOTË
Si kryetar i Bashkisë së Selenicës vlerësoj dhe mirëkuptoj çdo lloj proteste që komunitete të caktuara bëjnë për të kërkuar të drejtat legjitime që atyre u mungojnë dhe të çdo kërkese që shkon në përmirësim të jetës së tyre social-ekonomike. Prej fillimit të mandatit tim në krye të kësaj bashkie kam qenë vazhdimisht i ndjeshëm ndaj çdo mungese në territor, sidomos në drejtim të infrastrukturës rrugore, madje duke e shpallur këtë edhe një nga prioritetet apo sfidat e hapura në drejtim të saj.
Dhe gjatë këtyre dy viteve kemi zgjidhur jo pak nga këto problematika në mjaft fshatra të zonës. Të njëjtin ndjeshmëri e prekupacion kam patur prej fillimit edhe për rrugën e Shullërit, një rrugë që u shërben një sërë fshatrash me histori e kontribute të mëdha në historinë e vendit.
I ndërgjegjshëm se kjo infrastrukturë kërkon fonde ivestimesh të konsiderueshme e që shkojnë përtej mundësive të Bashkisë, së bashku me deputetin e zonës Z. Vullnet Sinaj dhe drejtuesin Politik Bledi Çuçi kemi punuar e lobuar fort në të gjitha strukturat dhe institucionet përgjegjëse në nivel qendror.
Sipas fjalës së dhënë në një takim me burrat e tabanit të zonës, jo të kafeneve, Bashkia Selenicë do të filloj 3.5 Km e para me fondet e saj dhe pastaj Drejtuesi Politik do të loboj per realizimin e te gjithe projektit. Ndërkohë Bashkia e Selenicës në 14 Korrik 2025 ka prokuruar dhe hedhur tenderin, proçedurën për realizimin e 3.5 km të para me fondet e saj duke mbajt fjalën e dhënë. Theksojmë se asnjë fond tjetër për infrastrukturën gjatë gjithë kësaj kohe të drejtimit tim, madje edhe të mbledhura së bashku nuk e arrijnë një shifër të tillë.
Ndaj do të donim që organizatorët e protestës në ditën e sotme të pyesnin apo të merrnin një informacion të përditësuar përpara se të protestojnë duke bllokuar rrugë apo anatemuar drejtues të çfarë do niveli dhe duke mos u thënë të vërtetën edhe banorëve që dalin në protest sepse me nje te drejt jetike nuk duhet ta perdorin disa persona qe ne fshat shkojn si turist.
Bashkia e Selenicës, unë personalisht si dhe deputeti i zonës janë të vendosur që edhe kësaj krahine emër madhe ti japin atë që i takon, infrastrukturën e duhur rrugore si një e drejtë legjitime që banorët e këtyre fshatrave meritojnë dhe asfare si të nxitur nga presione apo protesta të çfarë do forme.

