PPNEA: Ndërtimi në zonën e mbrojtur Pishë Poro – Nartë po shkatërron pyllin dhe dunat ranore

PPNEA: Ndërtimi në zonën e mbrojtur Pishë Poro – Nartë po shkatërron pyllin dhe dunat ranore

Në zonën e mbrojtur Nartë – Pishë Poro kanë nisur punimet. Pa asnjë tabelë informuese apo plan konkret që duhej të kalonte njëherë instancën e konsultimit publik, fadromat kanë zbarkuar në pyll duke dëmtuar masivin e pishave dhe dunat ranore që janë pjesë e zonës së mbrojtur.

Ndërtimet kanë disa ditë që kanë nisur, por nuk janë mirëpritur nga banorët e Vlorës. Edhe shoqatat mjedisore janë kundër ndërhyrjeve në këtë zonë.

Shoqata e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Shqipëri (PPNEA) në dy reagimet e fundit ka denoncuar ndërtimet në zonën e Nartës.

“Pa asnjë projekt, asnjë dëgjesë, asnjë konsultim, asnjë shenjë të një lejeje ndërtimi, makineri të rënda janë sulur me nxitim brenda Zonës së Mbrojtur Pishë Poro- Nartë, duke e rrëzuar pyllin dhe duke shkatërruar dunat ranore!

Një agresion i tillë i paligjshëm, brenda një prej zonave më të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare, nuk është parë as në ditët më të errëta të Shqipërisë gjatë tranzicionit, dhe sigurisht është një rast unik në rajon dhe Europë”, shkruhet në reagimin e parë të PPNEA.

Kjo shoqatë i bën thirrje edhe autoriteteve të ndërhyjnë, por duket se thirrja nuk është dëgjuar nga askush, pasi ndërtimet kanë vijuar edhe në fundjavë.

Ndaj PPNEA në një reagim të dytë thotë se në Nartë – Pishë Poro po behët masakër mjedisore.

“Brigada e paidentifikuar e ekskavatorëve dhe mjeteve të rënda me zinxhirë vijojnë asgjësimin e Peizazhit të Mbrojtur Pishë Poro-Nartë. Autoritetet kanë braktisur territorin që duhet të mbrojnë, duke e lënë në mëshirën e zinxhirëve dhe zhavorrit që po zëvendëson vegjetacionin.

Zona më e rëndësishme për jetën e egër në Pishë Poro-Nartë po grabitet në mënyrë banditeske, pa asnjë njoftim. I bëjmë thirrje inspektoratit qendror, policisë së shtetit dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, të ndalojnë urgjentisht këtë masakër!!!”, është ky reagimi i dytë nga kjo shoqatë.