Komisioni i Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale është ndalur këtë të martë në Vlorë, ku është zhvilluar dëgjesa e radhës me banorët e qarkut. Edhe nga Vlora palët politike ishin të ndara në qëndrime, ku për mazhorancën reforma ka pasur sukses dhe për opozitën ka qenë dështim.
Bashkëkryetari socialist i Komisionit, Arbjan Mazniku, është shprehur se fokusi i diskutimeve duhet të jetë sesi bashkitë t’i zbatojnë si duhet kompetencat që kanë dhe jo te ndarja e territorit
“Është një moment që ne mund të shohim si mund t’i bëjmë bashkitë më efiçente. Si mund t’i bëjmë më efektive. A e kanë mundësinë për të gjeneruar më shumë të ardhura? Ndaj kërkesa ime për dëgjesën e sotme është që të diskutojmë për mënyrën sesi bashkitë ta zbatojnë si duhet funksionin që kanë. Pastaj kalojmë te territori.
Sepse kur flasim për territorin, ndizen pasionet e territorit. Territori s’duhet të jetë i vetmi faktor determinues. Një nga problemet që ne kemi, ka të bëjë me çuarjen e një funksioni në një vend që nuk ushtrohet dot. Ndaj është e rëndësishme që të diskutojmë si kanalet kulluese të funksionojnë, pastrimi i qyteteve të bëhet, etj. Reforma duhet të impaktojë jo thjeshtë 4 vjeçarin e ardhshëm, por të impaktojë si Shqipëria zhvillohet në 40 vitet e ardhshme”, tha Mazniku.
Nga ana tjetër, bashkëkryetari demokrat i Komisionit, Luçiano Boçi, tha se Vlora është shembulli më i qartë i dështimit të Reformës Territoriale të vitit 2014. Gjatë fjalës së tij, Boçi theksoi se Reforma Territoriale duhet të përmbyllet në mënyrë konsensuale mes mazhorancës dhe opozitës, pasi në të kundërt sipas tij, nuk do të kishte vlerë.
“Thënia e të vërtetave me zë të lartë në Vlorë është pjesë e shpirtit vlonjat. Ajo që ne kemi kërkuar si përfaqësues të PD-së, është që Komisioni i Reformës Territoriale duhet të ketë një konkludim konsensual. Përndryshe gjithë investimi i bërë gjatë kësaj kohe, do të shkonte dëm. Territori nuk lexohet në Parlament, por këtu në dëgjesat publike, në fshatrat dhe lagjet e Vlorës, në mungesën e shërbimeve dhe problemet e mëdha që ka qarku i Vlorës.
Reformat janë ato që sjellin pasojë të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarit. Pushteti vendor ndikon në çdo stad të jetës, madje ai përcakton edhe nivelin e lumturisë dhe dashurisë që ne kemi me vendin, me territorin, me lagjen, me shtëpinë”, tha Boçi.
Ndërkohë në këtë dëgjesë shumë prej të pranishmëve shpalposën kritika të shumta, duke u ankuar për mungesë shërbimesh.

