Teksa sezoni turistik është në prag, Bashkia Vlorë ka propozuar në Këshillin Bashkiak një projektvendim për të vendosur tarifa për plazhet publike. Sipas dokumentit qytetarët e Vlorës që duan të pushojnë në 3 muajt e verës në parcelat e menaxhuara nga bashkia do të paguajnë 700 Lekë në ditë.
Bashkia Vlorë parashikon që të vendosë 1000 çadra që do t’i marrim me qira nga operatorë private dhe do të shfrytëzojnë plazhin nga periudha 1 qershor deri në 31 gusht.
“Tarifa për zënien e hapësirës publike me qëllim biznesi për zonën e Plazhi i Vjetër-Zvernec dhe Uji i Ftohtë – Radhimës – Orikum që do t’i referohen tarifës së përcaktuar me VKB-në nr. 96, datës 07.12.2025 “Për miratimin e taksave dhe tarifave vendore në territorin e Bashkisë vlorës për vitin 2024, mbeten të pandryshuara”, citohet në projektvendimin e bashkisë.
Në prezantimin që iu bë këtij projektvendimi në Këshillin Bashkiak, përfaqësuesit e bashkisë pohuan se në analizë nuk kanë marrë sezonin defakto, që është më i gjatë, por sezonin dejure që parashikon plazh vetëm në 3 muaj.
Sa i takon kostove që do të ketë bashkia, shumica e parave do të shkojnë për paga dhe sigurime, ku do të jenë 16 persona të punësuar, ndërsa parashikohet që të ndërtohen edhe dushe dhe tualete për pushuesit.
“Tre elementët që na rëndojnë ne janë shpenzimet fikse, qiraja dhe TVSH”, me këto fjalë u justifikua përfaqësuesja e bashkisë për vendosjen e taraifës 700 lekë për çdo çadër. Kjo tarifë për këshilltarët opozitarë është e lartë ndaj kërkuan uljen e saj në të paktën 500 Lekë për çdo çadër.
“Ky projekvendim synon t’u marrin njerëzve edhe ato pak lekë që mund të kenë, pasi sipas Bruna Mersinit plazhi publik në Vlorë do të jetë plazh publik me pagesë. Unë e lexova projekvendimin dhe shikoj që gjysma e plazhit publik do të jetë me pagesë se kështu e ka zgjedhur Bruna se kujt do t’ia japë, bashkë me tarifimin në nivele maksimale”, tha këshilltari opozitar Atird Hoxha.
Ndërkohë këshilltari Gjergji Nika propozoi që tarifa të mos jetë 700 Lekë por 500 Lekë. Kjo nismë mori edhe votat e socialistëve duke u miratuar kjo tarifë. Por teksa të gjithë këshilltarët ishin në dijeni se ky vendim u miratua në fund të mbledhjes sekretarja e këshillit deklaroi se kjo pikë e rendit të ditës nuk kishte marrë numrin e votave të nevojshme, ndaj dhe projekt vendimi do të diskutohet sërish në mbledhjen e radhës.

