Pezullohen nga puna tre punonjës të Bashkisë Vlorë, dyshohet se kanë marrë karburant nga mjetet e punës

Pezullohen nga puna tre punonjës të Bashkisë Vlorë, dyshohet se kanë marrë karburant nga mjetet e punës

Tre punonjës të Bashkisë Vlorë janë pezulluar nga detyra pasi dyshohet në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe kanë vjedhur karburant nga mjetet e punës në Pikën e Grumbullimit të Mbetjeve.

Mësohet se masa e pezullimit ka nisur që në 19 Dhjetor, por për këtë ngjarje ka nisur procedim disiplinor edhe ndaj një efektivi të Policisë Bashkiake.

Sipas informacioneve procedimi ka nisur pasi një punonjës i Policisë Bashkiake ka njoftuar Përgjegjësin e Sektorit se shoferi i një kamioni të ushtrisë, i parkuar brenda territorit të Pikës së Grumbullimit të Mbetjeve dhe i angazhuar në pastrimin e rrjetit të kanalizimeve të qytetit, kishte konstatuar shenja të dyshimta që tregonin se nga mjeti i punës mund të ishte marrë karburant.

Menjëherë pas njoftimit, Përgjegjësi i Sektorit, së bashku me efektivin, janë paraqitur në ambientet e Pikës së Grumbullimit të Mbetjeve. Pas kontaktit me komandantin përgjegjës të mjeteve të ushtrisë, janë siguruar dhe verifikuar pamjet e kamerave të sigurisë në zonën ku ishte parkuar kamioni.

Nga verifikimi i pamjeve filmike rezulton se kamera monitoruese që mbulonte këtë zonë është spostuar qëllimisht. Një situatë e ngjashme është konstatuar edhe në një tjetër interval kohor.

Sipas deklarimit të tij, kamerat janë lëvizur me arsyetimin se dy punonjës të ndërmarrjes së pastrimit, i kishin kërkuar zhvendosjen e pamjes së kamerave për të furnizuar automjetin e tyre me një bidon naftë.

Pavarësisht masave të marra, punonjësit e përfshirë kanë kërkuar të paraqiten sërish në punë.