Një grup prej 41 organizatash mjedisore nga 28 vende të ndryshme ka shprehur shqetësimin lidhur me projektin e miratuar për ndërtimin e një resorti luksoz në Ishullin e Sazanit, i vetmi ishull i Shqipërisë, që rrethohet nga Parku Kombëtar Detar Karaburun–Sazan.
Projekti parashikon ndërhyrje në një sipërfaqe prej 45 hektarësh, duke rrezikuar seriozisht biodiversitetin dhe habitatet kritike të zonës.
Letra e organizatave është dërguar drejtpërdrejt Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe Ministirit të Mjedisit, Sofjan Jaupaj, duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të çdo vendimi për avancimin e projektit, përfshirjen e pjesës tokësore të ishullit në Parkun Kombëtar Detar dhe njohjen e tij si Zonë Kandidate Emerald dhe pjesë e rrjetit të ardhshëm Natura 2000.
Sipas organizatave, ishulli i Sazanit dhe ujërat përreth tij ofrojnë habitate jetike për llojet më të rrezikuara detare në botë, përfshirë fokën e Mesdheut (Monachus monachus), e cila është e përfshirë në Listën e Kuqe të IUCN-së dhe në Konventën për Speciet Migratore (CMS).
Më tej shtohet se “zona mbart gjithashtu 36 lloje të tjera detare të rrezikuara globalisht, duke përfshirë bimë detare, molusqe, krustace, peshq, zvarranikë dhe cetace, të mbrojtura nga konventat ndërkombëtare si Konventa e Barcelonës, Konventa e Bonit, CITES dhe Konventa e Bernës. Livadhet e Posidonia oceanica dhe shpella bregdetare të Ishullit ofrojnë habitatet jetike për këto lloje dhe janë të domosdoshme për ekosistemin e Mesdheut”.
Që nga viti 2019, monitorimi sistematik ka konfirmuar prani të qëndrueshme të fokës së Mesdheut dhe biodiversitetit të pasur në zonën Karaburun–Sazan.
Letra e plotë gjendet KËTU

