Teksa zezonit turistik po afron, institucionet kanë nisur marrjen e masave për mbarëvajtjen e tij. Ujësjellës Kanalizime Vlorë në një njoftim në mediat sociale bën me dije kanë nisur inspektimet për kontrollin përgjatë vijës bregdetare për ujërat e bardha që derdhen në det.
“Në prag të nisjes zyrtare të sezonit turistik, Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Vlorë, në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, ka ndërmarrë sot një aksion kontrolli përgjatë vijës bregdetare, respektivisht në të gjitha kanalet e ujërave të bardha që përshkojnë qytetin dhe derdhen në det. Qëllimi i këtij aksioni është evidentimi dhe sensibilizimi i subjekteve dhe qytetarëve që, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, derdhin ujërat e zeza në rrjetin e kanalizimeve të ujërave të bardha”, thuhet në njoftim.
Paralajmërohet se çdo subjekt që do të konstatohet në shkelje, do të ndërmerren masa ndëshkuese të menjëhershme. Ndërkohë një aksion duket se do të nisë edhe për ujërat të ndotura.
“Përpunimi i ujërave të ndotura në Vlorë monitorohet në çdo moment përmes një sistemi modern dhe inteligjent kontrolli. Sistemi SCADA sinjalizon në kohë reale çdo problematikë teknike, duke mundësuar reagim të menjëhershëm dhe garantuar funksionimin normal të të gjithë procesit të trajtimit.
Impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotura në Vlorë vijon të funksionojë me efikasitet të plotë, duke kontribuar në mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit për qytetarët dhe vizitorët e qytetit”, citohet në njoftim.
Këto aksione vijnë pak ditë pas raportimit nga Gjurmon.al, ku u dokumentua se ujërat e zeza derdhen në det në zonën e Lungomares. Me anë të pamjeve filmike, Gjurmon.al tregoi se disa kanale derdhin ujërat e zeza në pjesët ku qytetarët bëjnë plazh.

