Lirohen hapësirat publike edhe në rrugën “Kosova”, por qytetarët dhe bizneset ankohen se nuk po “trajtohen të gjithë njësoj”

Lirohen hapësirat publike edhe në rrugën “Kosova”, por qytetarët dhe bizneset ankohen se nuk po “trajtohen të gjithë njësoj”

Bashkia Vlorë e ndihmuar nga Inspektorati për Mbrojtjen e Territorit dhe Policia Bashkia ndërmori këtë të shtunë një aksion për lirimin e hapësirave publike në Rrugën “Kosova”, segment i cili lidh zonën e Skelës me Transballkaniken.

Mjete të shumta u përdorën për shembjen e tendave dhe heqjen e masivëve të betonit që kishin bllokuar një pjesë të trotuarit.

Kreu i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, reagoi pas aksionit ku sipas tij rruga Kosova ka marrë një pamje tjetër. “Aksioni i sotëm për lirim e hapësirave publike ka tjetërsuar të gjithë segmentin e rrugës ‘Kosova’”, shkruan Dredha.

Por qytetarët dhe bizneset në Vlorë ankohen se aksionet po bëhen selektivë, pasi jo çdo rrugë është trajtuar njësoj. Sipas tyre, por edhe nga një vëzhgim në terren, situata në rrugën e njohur si Muradie dhe në Lungomare nuk ka ndryshuar.

Trotuarët vijojnë të jenë të zaptuar nga privatët, ku duket se situata nuk ka ndryshuar aspak që nga nisja e këtij aksioni për çlirimin e hapësirave të përbashkëta. Kjo situatë është e njëjtë edhe në zona të tjera.