Ministria e Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe Bashkia Himarë janë bërë bashkë kundër studiuesit Auron Tare, i cili shprehu shqetësime lidhur me ndërhyrjet që janë bërë në Shpellën e Spilesë në Himarë.
Në një reagim të përbashkët këto institucione deklarojnë se kjo shpellë është monument kulture dhe çdo ndërhyrje kryhet vetëm mbi bazën e miratimit nga autoritetet përgjegjëse dhe mohojnë se lavazhe apo biznese të tjera po tjetërsojnë këtë objekt të rëndësisë së veçantë.

“Pamjet që po qarkullojnë në media dhe rrjete sociale si pretendim se Shpella e Spilesë po kthehet në një “lavazh” apo pronë private nuk qëndrojnë”, vijojnë më tej reagimin institucionet.
REAGIMI I PLOTË
Deklaratë në lidhje me Shpellën e Spilesë në Himarë
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit informon se, falë marrëveshjes së bashkëpunimit për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore mes MEKI, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Bashkisë Himarë, janë miratuar disa projekte ndërhyrjesh për rijetëzim, mes tyre edhe për Shpellën e Spilesë në Himarë.

Theksojmë se Shpella e Spilesë është një Monument Kulture i Kategorisë së Parë dhe çdo ndërhyrje kryhet vetëm mbi bazën e miratimit nga institucionet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore, duke respektuar standardet më të larta të mbrojtjes dhe ruajtjes së saj.
📌 Ndërhyrjet funksionale të parashikuara përfshijnë vendosjen e rrethimit mbrojtës, instalimin e paneleve informuese, dhe ndriçimin dekorativ.

❗ Asnjë lavazh, parkim apo zaptim abuziv, asgjë që cenon statusin e saj të mbrojtjes, nuk do të tolerohet!
Pamjet që po qarkullojnë në media dhe rrjete sociale si pretendim se Shpella e Spilesë po kthehet në një “lavazh” apo pronë private nuk qëndrojnë. Përkundrazi, ajo do të rikualifikohet sipas projektit të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale. Për ndërhyrjet në afërsi të shpellës, me mbështetjen e pushtetit vendor dhe organeve ligjzbatuese do të ketë rikualifikime urbane e rikuperime që do të përmirësojnë kontekstin territorial duke evokuar vlerat turistike të zonës.

Ndërhyrjet parashikohet të nisin në periudhën shtator-tetor.

