Himara e mbushur me turistë, por plazhet nuk janë ende gati për t’i pritur

Himara e mbushur me turistë, por plazhet nuk janë ende gati për t’i pritur

Fundjava që lamë pas përkoi edhe me festën e Pashkës. Kjo festë kremtohen më së shumti në Bashkinë Himarë, ku banorët e zonës janë në shumicë të besimit të krishterë (ortodoksë).

Jo vetëm për shkak të festës, por edhe të temperaturave që ishin të favorshme, Himara ishte e mbushur me turistë në fundjavë.

Plazhi i Himarës

Banorë vendas e të huaj kishin zgjedhur që përveç shijimit të kulinarisë në këtë qytet edhe të bënin not apo të merrnin rreze në breg të detit.

Shumë prej bizneseve në zonë duket se ishin bërë gati për të pritur turistët e parë, por autoritetet ende nuk kishin marrë masa për të mirëpritur vizitorët e shumtë.

Rëra mbi shëtitoren e Himarës

Plazhi i njohur si Spile në Himarë ishte i mbushur me turistë, por nga autoritetet nuk u ishte siguruar asnjë shërbim. Rëra nuk ishte vetëm në breg të detit, por kishte mbuluar edhe shëtitoren, e pak nga pak po u afrohej bizneseve.

Sistemimi i plazheve mungonte, ku përveç diellit e detit të kaltër, turistët nuk mund të prisnin asnjë të mirë tjetër. Por pavarësisht mos marrjes të asnjë mase, Bashkia Himarë në mediat sociale reklamon turizëm gjithëvjetor dhe fton çdokënd të vizitojë qytetin.