Fermerët e Konispolit të cilët u dëmtuan nga përmbytjet e fundit kanë dalë në protestë dhe kërkojnë të dëmshpërblehen nga shteti.
Ata pohojnë se janë dëmtuar shumë, pasi nuk kanë asnjë subvencion dhe tashmë nuk po dëmshpërblehen për situatën e përmbytjeve, ku dëmet janë kolosale pasi prej ditësh mandarinat i kanë nën ujë.

“Shesim mandarinat nën kosto. Asnjë subvencionim nga shteti për ne. Edhe tani me përmbytjet asnjë mbështetje nga shteti. Deputetet socialist lëvijnë sa më show, biles na kanë bërë presione për të bërë analiza te privati, nga 200 mijë Lekë, u shpreh një fermer.
Në këtë protestë ka marrë pjesë dhe deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, e cila u shpreh se fermerët janë lënë të vetëm nga shteti, situata e krijuar është e rëndë, pasi fermerët janë goditur nga fatkeqësitë natyrore dhe njëkohësisht nga presioni për uljen e çmimeve, ndërsa shtoi se fushatat e shpifjeve rreth cilësisë së mandarinave të Konispolit janë të qëllimshme.

“Ju u përballët me një fushatë të tmerrshme dezinformimi që thoshte se mandarinat janë me pesticide dhe jo të shëndetshme, vetëm për të ulur çmimin që të bliheshin lirë. Mandarinat e Konispolit janë të sigurta, me cilësi dhe të ardhura nga puna e ndershme e fermerëve”, u shpreh Zhupa.
Ajo theksoi se nuk ishte në protestë për qëllime politike, por në cilësinë e përfaqësueses së tyre në Kuvend, duke premtuar se zëri i fermerëve do të ngrihet në amendimet e buxhetit 2026.
“Do të bëj propozimet e duhura në amendamentet e buxhetit të 2026 për të adresuar problemet tuaja. Çfarëdo ndihme që keni nevojë, më keni në krah,” – theksoi ajo.
Fermerët e Konispolit kanë paralajmëruar se protestat do të vijojnë deri sa kërkesat e tyre të merren seriozisht nga qeveria.

