Bishani fshati më i përmbytur në Vlorë, banorët: Nuk kemi marrë asnjë ndihmë

Bishani fshati më i përmbytur në Vlorë, banorët: Nuk kemi marrë asnjë ndihmë
Pamje nga Bishani

Reshjet e dendura të shiut të rëna gjatë javës së shkuar kanë shkaktuar probleme të shumta në qarkun e Vlorës, por edhe në shumë fshatra në anën tjetër të Vjosës, në Fier. Vjosa doli nga shtrati dhe përmbuyti mijëra hektarë toka, por nuk kurseu as banesat, magazinat e godinat e tjera që shërbenin për strehimin e bagëtive.

Një situatë apokaliptike ishte në momentet e para ku Vjosa arriti kuotën maksimale dhe kapërceu urën e vjetër të Mifolit. Pasojat më të shumta të përmbytjeve po i vuan fshati Bishan në Vlorë. I ndodhur shumë pranë lumit Vjosa dhe autostradës po ashtu, Bishanit si lumi por edhe rruga po i kthehen në mallkim.

Kasollet e bagëtivë, bashkë me ushqimin për gjënë e gjallë, oborret e banesave, por edhe pak banesa përdhese u mbuluan nga uji. Sipas banorëv e shkaqet për përmbytjet e herëpashershme janë dy, bllokimi i kanaleve kulluese dhe plani i gabuar i autostradës që ka bllokuar qarkullimin normal të prurjeve pas reshjeve të shiut.

Gjurmon.al ishte këtë fundjavë në Bishan, ku situata dukej e përmirësuar, por ende shumë toka ishin nën ujë. Pengesa e parë për të shkuar në fshat ishte nënkalimi, ku nga rrugë kalimi për automjet ishte kthyer në pishinë. Banorët e këtij fshati ishin të gjithë të revoltuar, ku e përbashkëta e tyre ishte mosmarrja e asnjë dëmshpërblimi.

Nuk ka ardhur njeri të na shikojë, jemi lënë në harresë”, këto ishin frazat më të dëgjuara nga bisedat me banorët. Sipas tyre autoritetet nuk kanë shkuar për të verifikuar dëmet, pavarësisht se janë fshati më i prekur nga përmbytjet.

Dikush ankohej për bagatitë e dikush për banesat, por banorët ankohen edhe përmbytjen e tokave. “Ullinjtë po na kalben, gruri dhe të gjitha të mbjellat po ashtu”, këtë pohonin banorët duke treguar tokat që prej ditësh vijonin të ishin nën ujë.

Nga autoritetet duket se ka nisur një fushatë për të vizituar të gjithë banorët e prekur nga përmbytjet. Është premtuar edhe dëmshpërblimi për të gjithë ata që kanë humbur pasurinë e tyre, por sërish nuk është marrë ende asnjë veprim konkret.