Bashkia Himarë dëgjon thirrjet, hiqet litari në Filikur që rrezikonte jetën e turistëve

Bashkia Himarë dëgjon thirrjet, hiqet litari në Filikur që rrezikonte jetën e turistëve

Bashkia Himarë ka vendosur që më në fund të veprojë dhe të mos rrezikohet jeta e qytetarëve të tjerë. Pas një jete të humbur, disa turistëve të plagosur dhe thirrjes së qytetarëve e medias, Bashkia Himarë ka hequr nga Gjiri i Filikurit litarin që përdorej për ngjitje dhe për zbritje në plazh.

Në një njoftim publik, autoritetet vendore bëjnë me dije se nga e diela litari nuk do jetë më në këtë vend, si dhe është e ndalur zbritja me të gjitha format nga shkëmbi për në plazh në Filikur.

Kujdes në Gjirin e Filikurit – Mos rrezikoni jetën tuaj! Bashkia Himarë njofton të gjithë qytetarët dhe turistët se Gjiri i Filikurit është një zonë me rrezikshmëri të lartë për shkak të terrenit të thyer dhe mungesës së infrastrukturës së sigurisë. Litari i zbritjes është hequr dhe zbritja në këtë zonë nuk lejohet”, është ky njoftimi i kësaj bashkie.

Njoftimi i bashkisë

Çdo tentativë për të hyrë nga terreni shkëmbor paraqet rrezik serioz për jetën. Ju lutemi tregohuni të kujdesshëm dhe zgjidhni plazhe të sigurta për pushimet tuaja. Siguria e jetës është mbi gjithçka.

Ky problem është trajtuar gjerësisht nga Gjurmon.al. Kemi raportuar ngjarjet tragjike që kanë ndodhur me humbjen e jetës së turistes nga Holanda dhe kemi ngritur alarmin që litari që përdorej për turistëve ishte i konsumuar dhe rrezikonte të merrte të tjera jeta.

Duket se thirrjet tona janë dëgjuar dhe tashmë, turistët do të kenë një problem më pak në Bashkinë Himarë.