Protesta në Zvërnec, Policia e Vlorës: Personi që u tërhoq zvarrë nga rojet private hyri me forcë në kantier

Protesta në Zvërnec, Policia e Vlorës: Personi që u tërhoq zvarrë nga rojet private hyri me forcë në kantier

Policia e Vlorës ka reaguar lidhur me protestën e zhvilluar në Zvërnec, ku qytetarët dhe aktivistët u dhunuan nga rojet private. Në një njoftim për mediat, policia e Vlorës sqaron se pas kryerjes së veprimeve hetimore janë proceduar penalisht 17 persona mes tyre janë edhe dy punonjës të një shoqërie private sigurie.

Po në këtë njoftim, blutë e Vlorës deklarojnë se protestuesit kanë kryer akte të dhunshme dhe një prej tyre, personi i cili ka kallëzuar rojet private për dhunë, ka hyrë me forcë në kantier.

“Njëri prej protestuesve, shtetasi E. S., është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit dhe është shoqëruar nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë në ambientin e përcaktuar për rojet”, citohet në njoftimin e policisë.

DEKLARATA E PLOTË

Më datë 30.05.2026, është zhvilluar një tubim i organizuar nga banorë të fshatit Zvërnec, në vendin e quajtur “Portonovë”, të cilët kundërshtojnë zbatimin e një projekti ndërtimor nga një kompani private.

Policia e Vlorës, pas njoftimit të marrë nga banorët për zhvillimin e këtij tubimi, ka marrë masat e nevojshme për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbrojtjen e pronës private.

Gjatë tubimit, situata është përshkallëzuar dhe një grup protestuesish kanë kryer veprime të dhunshme me qëllim prishjen e rrethimit të kantierit të kompanisë.

Në këto rrethana, njëri prej protestuesve, shtetasi E. S., është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit dhe është shoqëruar nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë në ambientin e përcaktuar për rojet.

Gjatë shoqërimit nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë, shtetasit E. S. i janë shkaktuar dëmtime trupore.

Menjëherë kanë ndërhyrë shërbimet e Policisë, të cilat kanë nxjerrë shtetasin E. S. nga ambienti ku mbahej nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë. Më pas, ai është paraqitur në ambientet e DVP Vlorë, ku ka bërë kallëzim ndaj dy punonjësve të kësaj shoqërie.

Në vijim të veprimeve procedurale, u proceduan penalisht dy punonjësit e shoqërisë private të sigurisë, konkretisht shtetasit G. V., 41 vjeç, dhe A. G., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Po në vijim të veprimeve procedurale, u proceduan penalisht edhe 15 shtetas pjesëmarrës në tubim, të cilët dyshohet se kanë kryer veprime të dhunshme me qëllim prishjen e rrethimit të kantierit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.

Procedimi ndaj tyre erdhi pas kallëzimit të bërë nga shtetasi E. S., i cili pretendon se ka pësuar dëmtime trupore gjatë shoqërimit nga punonjësit e sigurisë private. Policia njofton se ndërhyri menjëherë në vendngjarje dhe e largoi shtetasin nga ambienti ku mbahej.

Në vijim të hetimeve, policia procedoi penalisht edhe 15 persona të tjerë pjesëmarrës në tubim, të cilët dyshohet se janë përfshirë në veprime të kundërligjshme gjatë ngjarjes.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, e cila do të vijojë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.