Deklarata e rreme e policisë së Vlorës, pezullohet nga dretyra drejtori

Deklarata e rreme e policisë së Vlorës, pezullohet nga dretyra drejtori

Me një ndjesë ka nisur reagimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, lidhur me protestën e zhvilluar në Zvërnec. Teksa korigjon njoftimin e dhënë nga policia e Vlorës, drejtoria e përgjithshme deklaron se personi që u tërhoq zvarrë nuk është futur me forcë në kantier.

Ky gabim ka rezultuar fatal për drejtorin e Policisë Vlorë i cili është pezulluar menjëherë nga detyra, ndërkohë që mësohet se ka nisur një hetim për të gjithë zinxhirin komandues.

“Ndërsa lidhur me pretendimet e protestës në fjalë, bëjmë me dije se janë ndjekur me vëmendje dhe territori i rrethuar rezulton pronë tërësisht private, me dokument të rregullt hipotekor, si dhe me autorizimin ligjor për rrethimin”, shton policia.

DEKLARATA E PLOTË

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kërkon ndjesë publike për raportimin e gabuar    Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, lidhur me qytetarin, që në fakt nuk është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit, sikundër është raportuar.

Në këto rrethana dhe pavarësisht se në të gjithë pjesën tjetër komunikata e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë është korrekte, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë. Besimi i publikut për Policinë e Shtetit është vlera më e rëndësishme dhe cenimi i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast.

Ndërsa lidhur me pretendimet e protestës në fjalë, bëjmë me dije se janë ndjekur me vëmendje dhe territori i rrethuar rezulton pronë tërësisht private, me dokument të rregullt hipotekor, si dhe me autorizimin ligjor për rrethimin.

Prandaj përfitojmë nga rasti që t’u drejtohemi edhe qytetarëve që protestojnë, duke nënvizuar se çdo pretendim mbi një pronë private apo zhvillimin e saj, adresohet në Gjykatë.

Policia e Shtetit ka për detyrë ligjore të mbrojë integritetin e çdo prone private që zotëron dokumentacion të rregullt ligjor.