Prej pak javës autobusat interurban në qytetin e Vlorës janë vendosur në një stacion të ri. Në hyrje të rrugës Transballkanike tashmë qëndrojnë autobusët, të cilët marrin dhe lënë pasagjerë gjatë gjithë ditës.
Ky ambient sipas Bashkisë Vlorë do të jetë i përkohshëm, por ende nuk ka dal një vendim se ku do të jetë stacioni i ri i përkohshëm. Në pritje të një stacioni modern, qytetarët që janë të detyruar që të udhëtojnë me autobus, duket se janë lënë në mëshirë të fatit.

Pavarësisht se Bashkia Vlorë premtoi që ky stacion do të kishte të gjithë kushtet e nevojshme, nga vëzhgimi i bërë nga Gjurmon.al rezulton se mungojnë shumë elementë për ta konsideruar këtë vend si stacion autobusësh.
Prej pak ditësh janë vendosur stola dhe strehë, por që nuk mjaftojnë për të gjithë qytetarët që prej me për minuta të tëra. Në këtë stacion të përkohshëm mungojnë tabelat informuese për destinacionet ku shkojnë autobusët, por mungon gjithashtu edhe një biletari.

Edhe ambientet ndihmëse nuk janë prezente në këtë zonë, duke vijuar me të njëjtat probleme njësoj si ditën e parë.
Gjurmon.al e ka ndjekur këtë problematikë që prej ditës së parë dhe reagimi i Bashkisë Vlorë për të vendosur stolat dhe strehë është i mirëpritur, por ky stacion duhet të plotësohet me të gjitha ambientet e tjera ndihmëse.

