Shoqëria “Vlora Invest”, nuk do të krijohet. Ky është vendimi i Prefektit të Vlorës duke rrëzuar kështu vendimin e miratuar në Këshillin Bashkiak me vetëm votat e shumicës socialiste.
Sipas një përgjigje që Prefekti Vlorë i ka kthyer këshilltarëve të opozitës, vendimi për krijimin e “Vlora Invest” është një akt me karakter individual dhe si i tillë, vendimi nuk ligjerohet.
Këshilltari Gjergji Nika në një postim në mediat sociale, shkruan se tashmë “Vlora Invest” nuk mund të rregjistrohet dhe nuk mund të kryej aktivitet.

“Rrëzohet krijimi i Shoqërisë “Vlora Invest” – ashtu si u paralajmërua. Pas debateve të forta dhe argumenteve të qarta që ngritëm në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të muajit shkurt, sot erdhi konfirmimi: Prefektura e Qarkut Vlorë vlerëson se kemi të bëjmë me një akt me karakter individual, i cili nuk hyn në kompetencat e saj.
Ky është një zhvillim i rëndësishëm që vërteton edhe njëherë se shqetësimet tona ishin të drejta dhe të bazuara. Pa verifikimin e ligjshmërisë për krijimin e saj, kjo shoqëri nuk mund dhe nuk rregjistrohet”, shkruan Nika.

