Është vetëm 5 kilometra larg nga Vlora, por uji i pijshëm nuk shkon. Bestrova më shumë se fshat mund të konsiderohet si një lagje e Vlorës, por problemet në këtë zonë janë të shumta. Ky fshat prej vitesh vuan mungesën e ujit të pijshëm, pavarësisht se investimet në infrastrukturë janë bërë prej kohësh.
Banorët pohojnë se detyrohen që të mbushin ujë në Vlorë, ose ta blejnë atë, por në verë sipas tyre jetesa bëhet më e vështirë. Shumë banesa kanë puse në oborret e tyre, por këtë ujë e përdorin vetëm për pastrim dhe vaditje të bahçeve të tyrë.
Për mediat banorët e këtij fshati deklarojnë se janë ankuar shumë herë tek autoritetet por zgjidhe nuk kanë marrë ende.
“Për të gatuar na vjen boti, ndërsa për nevoja të tjera përdorim ujin e puseve. Është shumë e vështirë, kemi shumë vite që bredhim me bidonë. Na thonë se do vijë uji, kam bërë edhe një depo pritëse, por ujë nuk ka”, tregon një banore e moshuar.
“Që nga vitet ’90 kjo situatë është dhe nuk kemi më ujë të rregullt. Blejmë ujë në Vlorë, kemi hapur puse dhe na vjen edhe boti këtu. Ja dalim vetëm me puse. Kur s’ka ujë, si do paguajmë?”, deklaroi për mediat një tjetër banor.
Pa ujë nuk është vetëm Bestrova, por edhe fshatrat e tjerë rreth saj. Janë mijëra banorë që preken nga kjo problematikë që nuk po merr zgjidhje prej vitesh edhe pse është premtuar shumë herë.

