Kanali i “Siavit” vijon të jetë shkaktari kryesor për përmbytjet në Vlorë. Bashkia Vlorë dhe Ujësjellës Kanalizime Vlorë prej muajsh propagandojnë se kanali i Siavit është pastruar, por realiteti flet ndryshe. Këtë të shtunë UKV publikoi një video ku tregonte se po vijonte puna për pastrimin e kanalit.
“Po vijon pastrimi i kanalit të “Siavit” në lagjen “10 Korriku”, për të siguruar një mirëfunksionim të rrjetit të kanalizimeve. Fatkeqësisht, mbetjet e hedhura nga qytetarët vijojnë të mbeten një problem serioz”, citohet në njoftim.
Ndërkohë në redaksinë e Gjurmon.alnka mbërritur një video ku tregohet se kanali vijon të jetë i bllokuar. Sipas qytetarit bashkia dhe UKV nuk punojnë sistematikisht në këtë kanal, por bëhen aksione shumë rrallë.
Pamjet tregojnë situatën, ku kanali i Siavit edhe pse ka nisur të pastrohet para më shumë se një viti, sërish është i bllokuar nga mbetjet dhe nga ndërtimet pa leje.

