Sërish punime, një pjesë e Vlorës nesër do të jetë pa ujë

Sërish punime, një pjesë e Vlorës nesër do të jetë pa ujë

Punimet për ujësjellësin e ri të qytetit do të lënë qytetarët sërish pa ujë. Sipas një njoftimi nga Bashkia Vlorë, punimet do të zhvillohen në disa zona dhe një pjesë e madhe e qytetit nuk do ketë furnizim me ujë gjatë së martës në 17 Mars.

Punimet do të jenë në lagjen “1 Maji”, zona e “Pyjores”, në rrugën “Gjergj Araniti” e njohur si “Çipajt”, si dhe në qendër të qytetit, zona e “Kapeles”, do të kryhet lidhja e nyjeve të rrjetit të ri të ujësjellësit me rrjetin ekzistues.

“Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë njofton qytetarët dhe bizneset se në kuadër të këtyre ndërhyrjeve, ditën e Martë, do të ketë stakim të detyruar të Stacionit kryesor për shkak të punimeve”, thuhet në njoftim.

Zonat që do të mbeten pa ujë janë kryesisht në lagjet bregdetare si; Uji i Ftohtë, Lungomare, 10 Korriku, Kalaja dhe Jonufra.

Ndërkohë pjesa tjetër e qytetit nuk do të furnizohet me ujë vetëm në orarin e pasdites të ditës së Martë, 17 Mars.

Furnizimi me ujë sipas bashkisë do të kthehet në normalitet gjatë të mërkurës. Njoftime të ngjashme nga institucionet lokale shpërndahen gati çdo javë, me punimet që vijojnë dhe nuk po mbyllen kurrë.

Banorët ndërkohë ankohen edhe për problemin e rrugëve ku një pjesë e madhe e segmenteve në Vlorë janë me kanale në mes për shkak të punimeve për ujësjellësin e ri.