Ura e Vodicës e cila po i kushtet buxhetit të Bashkisë Selenicë gati 1 miliardë Lekë u premtua se do të ndërtohej për 4 muaj. Kështu të paktën tregon tabela e vendosur në hyrje të urës së vjetër që lidh fshatin Vodicë me rrugën Kuç-Qeparo.
Punimet për ndërtimin e kësaj ure kanë nisur në muajin nëntor të vitit të shkuar, ku Gjurmon.al e ka dokumentuar këtë gjë. (Shiko videon më poshtë)
Pavarësisht se afati 4 mujor duket se është ezauruar punimet janë në vendnumëro. Punimet deri më tani janë ende tek themelet, ku duket se duhen edhe shumë muaj të tjerë që të përfundojë ndërtimi i kësaj ure.

Edhe pse punimet duket se po vijojnë me hapin e breshkës, kryetari i Bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj, është i kënaqur me këtë ecuri. Pak ditë më parë teksa ka bërë një inspektim në këtë kantier ndërtimi, nuk ka ngritur shqetësimin e vonesës së ndërtimit.

“Me deputetin e zonës, Vullnet Sinaj inspektuam nga afër punimet për ndërtimin e urës së Vodicës, një ndërhyrje e rëndësishme për komunitetin dhe përmirësimin e infrastrukturës në zonë.
Ky projekt po realizohet nga Bashkia Selenicë, me mbështetjen e Emergjencave Civile dhe me angazhimin e veçantë të Ministrit Piro Vengu (inspektimi është kryer ende pa u betuar ministri i ri i Mbrojtjes), të cilët bënë të mundur nisjen e kësaj ndërhyrjeje të shumëpritur.

Ura e re do të rrisë sigurinë dhe do të lehtësojë lëvizjen e banorëve, duke garantuar një lidhje më të qëndrueshme për zonën. Punojmë çdo ditë për më shumë investime dhe zhvillim për komunitetin”, shkruan Bellaj. Kjo urë e cila kushton gati 1 miliardë Lekë do u shërbejë dhjetëra banorëve të fshatit Vodicë.

