“Angazhime konkrete edhe për rrugën Vllahinë-Amonicë”, me këto fjalë e nis postimin e tij kreu i Bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj, në datën 2 Tetor 2025. Me tone optimiste, Bellaj shprehej në atë kohë se Bashkia e Selenicës ka në prioritetet e punës së saj zgjidhjen e nevojave në infrastrukturën rrugore, duke shtuar se “është vazhdimisht në përmbushje të misionit të saj për tu ardhur sa më mirë dhe më shpejt në përmirësim të rrjetit rrugor në çdo fshat apo krahinë”.

Sipas tij prioritet është edhe rruga Vllahinë-Amonicë, duke njoftuar dhe nisjen e projektit të këtij segmenti. “Bashkia Selenicë do të angazhohet maksimalisht që loti 1-rë të filloj nga buxheti i bashkisë për vitin 2026”, mbyll postimin e tij të dy tetorit, Nertil Bellaj.
Javët kaluan dhe në terren nuk është parë asnjë mjet për të nisur punimet. Pavarësisht se banorët vijojnë që të kalojnë në këtë rrugë të amortizuar, kreu i Bashkisë Selenicë iu rikthye kësaj çështje në datën 22 Dhjetor.
Në një postim po në mediat sociale, Bellaj shkroi se “me kënaqësi ju njoftojmë se është miratuar projekti për rikonstruksionin e rrugës Vllahinë–Amonicë faza I , një investim i rëndësishëm që do të përmirësojë ndjeshëm infrastrukturën rrugore dhe lidhjet mes komuniteteve tona”.

Sipas tij “ky projekt është mbështetur nga Qarku Vlorë dhe është rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm për zhvillimin e zonave rurale”. Postimin e mbyll duke premtuar se shumë shpejt do të nisnin punimet.
Gjurmon.al ishte në këtë rrugë në 15 Shkurt ku dokumentoi se gjendja ishte totalisht e amortizuar dhe banorët u ankuan që prej 30 vitesh “askush nuk ka vënë dorë”. Pavarësisht se kanë kaluar 5 muaj nga premtimi i parë i kreut të Bashkisë Selenicë në rrugën Vllahinë-Amonicë nuk kanë nisur punimet.
Banorët për Gjurmon.al kanë pohuar se shpresat e tyre janë shuar që mund të investohet në këtë rrugë.

