Bashkia Vlorë do të krijojë një kompani me kapital shtetëror ku do të ketë në fokus menaxhimin e plazheve. Në një njoftim në mediat sociale, bashkia njofton se do t’i propozojë Këshillit Bashkiak krijimin e “Vlora Invest Sh.p.k”.
“Bashkia Vlorë, në zbatim të Vendimit të ndryshuar të Këshillit të Ministrave dhe rregullores “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”, do t’i propozojë Këshillit Bashkiak miratimin për krijimin e një strukture të re, ‘Shoqëria Bashkiake Vlora Invest Sh.p.k’, me qëllim vijimin e punës me transparencë të lartë dhe standarde të qarta administrimi”, citohet në njoftim.
Më tej sqaroeht se kjo shoqëri propozohet të krijohet “në përputhje me Ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, si dhe legjislacionin në fuqi për shoqëritë tregtare”.
Sipas bashkisë funksioni i këtij mekanizmi, përveç administrimit të aseteve publike, do të ketë si prioritet rritjen e sipërfaqes së plazheve publike, garantimin e lënies së lirë të brezit të parë të ujit dhe krijimin e një kulture të qartë llogaridhënieje për çdo shkelje të rregullave.
“Nëpërmjet këtij organizimi synohet forcimi i kontrollit dhe përgjegjësisë në menaxhimin e hapësirave bregdetare”, citohet më tej.
Sipas këtij institucioneti “detyrimi për afishimin e çmimeve, respektimi i hapësirës publike dhe transparenca kontraktuale do të jenë pjesë integrale e këtij mekanizmi, i cili do të jetë i verifikueshëm dhe i monitorueshëm për të garantuar rend, drejtësi dhe zhvillim të qëndrueshëm”.
Gjurmon.al do ta ndjek këtë propozim të Bashkisë Vlorë, si duke monitoruar mbledhjen e Këshillit Bashkiak por edhe gjatë sezonit veror se si do të funksionojë ndarja e plazheve në Vlorë.

