Qytetarët e Vlorës do të jenë sërish pa ujë. Ujësjellës Kanalizime Vlora në një postim në mediat sociale bën me dije se gjatë së martës nuk do ketë furnizim në disa zona.
“Në kuadër të zbatimit të projektit të ri të ujësjellësit për qytetin e Vlorës, Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë njofton qytetarët dhe bizneset se ditën e Martë, më 24 Shkurt, do të ketë stakim të detyruar të Stacionit kryesor për shkak të punimeve për lidhjen e nyjeve të rrjetit të ri të ujësjellësit me rrjetin ekzistues”, sqarohet në njoftim.
Sipas UKV do të ndërpritet furnizimi me ujë i zonës bregdetare: Uji i Ftohtë, Lungomare, 10 Korriku, Kalaja, Jonufra, ndërsa pjesa tjetër e qytetit nuk do të furnizohet me ujë vetëm në orarin e pasdites.
Sipas ujësjellësit mëngjesin e së mërkurës shpërndarja do të vijojë normalisht. Njoftime të tilla UKV ka shpërndarë disa herë, por banorët e Vlorë janë ankuar se ndërprerja ka zgjatur në disa raste përtej parashikimeve.

