Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka nxjerr në pah të tjera mangësi në punët e kryera nga Bashkia Selenicë. Në dokumentin që Gjurmon.al e ka lexuar, KLSH ndalet gjatë në tenderët me objekt “Përmirësim banesa ekzistuese për komunitet e varfëra të pafavorizuar”.
Sipas KLSH, pas analizimit të bërë në dosjet e tenderave “mungojnë në dosjen e zbatimit, certifikatat e cilësisë për disa materiale ndërtimi, si dhe raportet e testimit të tyre, konkretisht: për tjegullat e importit, për pllakat që janë përdorur për shtrim, për material plastike për tavanet, etj”.
Më tej në dokument citohet se “nuk ka një projekt zbatimi të konsoliduar, ku të paraqiten saktë detajet e projektit, lidhur me zërat e punimeve që do të kryhen sipas banesave që janë përfshirë në rikostruksion, por janë mjaftuar vetëm me planimetritë e banesave”. Gjithashtu thotë KLSH, mungojnë specifikimet teknike për materialet e ndërtimit dhe proceset e punës, mangësi këto të krijuara që në fazën e tenderimit, pasi nuk janë pjesë e dokumentacionit.

Në këtë raport auditimi thuhet se Kryetari i Bashkisë Selenicë ka miratuar projektin e rishikuar dhe preventivin e rishikuar, duke shpërndarë fondet e parashikuara për 2 banesa në vlerat përkatëse 706,141 lekë dhe 917,745 lekë, por këto banesa nuk janë merimetuar për shkak të refuzimit të qytetarëve posedues të këtyre banesave, ndërsa janë shpërndarë duke rritur vlerën e investimit në 20 banesa të tjera.
“Në këtë rast procedura duhet të miratohej detyrimisht nga Këshilli i Bashkisë Selenicë, pasi qytetarët i kanë përfituar fondet, pasi janë miratuar me vendim të këshillit bashkiak dhe ndryshimi i destinacionit të përdorimit të fondit duhet ti nënshtrohej vendim marrjes në Këshhilin Bashkiak, për rrjedhojë në vlera e investimit prej 1,623,886 Lekë, konsiderohet përdorim pa ekonomicitet dhe eftktivitet dhe është në kundërshtim me Vendimin e këshillit Bashkisë Selenicë”, shprehet KLSH.
Gjurmon.al do të sjell për publikun pjesë të tjera të kësaj dosje, se si Kontrolli i Lartë i shtetit ka zbuluar shpërdorimin e fondeve publike dhe mos realizimin e punimeve sipas kritereve të vendosura në kontrata.

