Fshati Gumenicë ndodhet shumë pranë Qendrës Administrative Kotë në Bashkinë Selenicë. Pak kilometra e ndajnë edhe nga Vlora, por rruga e cila është totalisht e dëmtuar po e izolon dita-ditës këtë fshat.
Tashmë në këtë zonë nuk ka më as shkollë, as qendër shëndetësore dhe banorët po largohen. Në fshat është e vështirë që të gjesh fëmijë, ato pak familje që kanë mbetur janë me të moshuar.
Gjurmon.al ishte pak ditë më parë në këtë fshat ku ishte shumë e vështirë që të arrije deri në zonën e banuar. Pamjet që shihni janë filmuar në vendin e quajtur Gumenicë fushë, ku rruga duket qartë që është në gjendje skandaloze, gropa janë prezente kudo, kanalet në rrugë po ashtu.
“Vetëm traktori me zinxhir bën punë në këtë rrugë”, pohoi një banor. Ndërsa një banorë tjetër që e hasëm në rrugë tregoi edhe vështirësitë që hasin për të transportuar edhe të vdekurit për në banesën e fundit. “Të vdekurit i çojmë në krah në varreza, nuk vjen asnjë makinë këtu në fshatin tonë. Kërkojmë zgjidhje sepse jemi në hall të madh”, pohoi.
Dëmtimi i rrugës ka detyruar banorët që të përshkojnë një segment tjetër për të mbërritur në fshatrat e tjerë, në Selenicë apo në Vlorë. Një pjesë e madhe e banorëve përshkojnë rrugën e re e hapur nga një kompani private. Ndërhyrja në këtë segment është urgjent, pasi banorët po e braktisin dita-ditës.

