Bashkia Sarandë ka hapur një tender me objekt “blerje fishekzjarrësh” për natën e ndërrimit të viteve. Fondi limit ka qenë 584,600.00 Lekë, dhe është fituar nga dy kompani të cilat kanë ofruar këtë shërbim me një shumë pak më vogël se ajo e vendosur nga bashkia.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Agjencia e Prokurimeve Publike fituese janë shpallur dy kompani që kanë ofruar këtë shërbim me 529,000.00 Lekë dhe 490,000.00 Lekë, duke e ndarë tenderin në dy lote.

Dokumentet e tenderit flasin për disa kritere specifike për fishekzjarrët që do të ndriçojnë qytetin në mesnatën mes 31 Dhjetorit dhe 1 Janarit.
Specifikime teknike të Fishekzjarreve janë: Të lëshohen me grykamortaje prej alumini special; Të jenë të siguruara teknikisht; Ndezja e tyre duhet të bëhet elektrike në një distancë jo më pak se 60 m; Sasia e barutit për çdo guackë të jetë 30 – 35 gr për cdo guackë; Të jenë për përdorim profesional dhe jo civil; Shkalla e rrezikshmërisë jo më pak se 1.4 G; Të jenë të siguruara nga jashtë me letër kafe kundra djegies dhe sipër me letër alumini.

Më tej në dokument tregohen edhe detajet e tjera për sasinë e fishekzjarrëve që do të përdoren, por kërkohet që kompania të jetë e Licencuar për “Importim dhe përdorim civil të fishekzjarreve” prej vitesh e afirmuar në Aktivitetet e piroteknike si dhe të ketë garanci në sigurinë dhe realizimi i shpërthimit të tyre.

