Bashkia Vlorë ka nisur një aksion të ri, rikonstruksionin e trotuarëve. Ky aksion së pari është shtrirë në rrugën Veledin Kollozi dhe Pelivan Leskaj, dy nga segmentet më problematike.
Nisja e punimeve, për shqetësimin e shprehur nga banorët për muaj me radhë, e ka njoftuar vetë kryetarja e bashkisë, Brunilda Mersini, e cila ka qenë dhe në terren.
“Riparimin e trotuarëve të dëmtuar nga rrënjët e pemëve, e kemi nisur nga rruga ‘Veledin Kollozi’ për të vijuar në një tjetër zonë problematike siç është rruga ‘Pelivan Leskaj’ dhe, sipas grafikut të bërë nga Ndërmarrja e Shërbimeve Publike, në të gjitha segmentet ku nevojitet ndërhyrja. Punë të tilla, edhe pse mund të duken të vogla, kanë ndikim të madh në infrastrukturën dhe jetën e përditshme të qytetarëve”, shkruan kryetarja e Bashkisë Vlorë.
Mersini e cilëson problemin e shkatërrimit të trotuarëve të shkaktuar nga rrënjët e pemëve, por realiteti dhe banorët thonë të kundërtën, që trotuarët janë dëmtuar nga punimet për ujësjellësin.
Gjurmon.al e ka raportuar këtë problem që në 24 Janar 2025 (https://gjurmon.al/kane-shqyer-trotuaret-banoret-e-vlore-ankohen-te-behen-sic-ishin-me-pare/), ku vetë banorët kanë pohuar se problemi ekzistonte prej muajsh.

