Denoncojnë se po u marrin tokat, banorët e krahinës së Dukatit njoftojnë padi në SPAK

Denoncojnë se po u marrin tokat, banorët e krahinës së Dukatit njoftojnë padi në SPAK

Banorët e Dukatit, Tragjasit dhe Orikumit po vijojnë betejën kundër projekteve që thonë se kanë qëllim marrjen e pronës të tyre. Banorët e këtyre fshatrave që kanë krijuar dhe atë që e quajnë Kuvendin e Dukatit kanë bërë me dije se beteja tashmë do të shkojë në SPAK.

Nesër do të dërgojnë dosjen në Strukturën e Posaçme Antikorrupsion, ku bëjnë me dije se kallëzimi bëhet kundër atyre që kërkojnë të “marrin pronën e tyre”. Në një njoftim në mediat sociale, banorët sqarojnë se besojnë te SPAK dhe kërkojnë hetim të plotë dhe të gjithëanshëm.

Të hënën datë 17 nëntor 2025, ora 6 e 30 në qendër të Orikumit mblidhemi për tu nisur drejt Tiranës që të bëjmë denoncimin tonë si komunitet krahinor kundër falsifikatorëve, zaptuesve, grabitësve, mohuesve të pronës dhe të të drejtave tona jetësore në SPAK. 

Pjesëmarrja e cilitdo bashkëkrahinori dhe bashkëkombasi që përkrah Kuvendin Komunitar të Krahinës është e domosdoshme. Prandaj mos neglizhoni por mblidhuni dhe bashkohuni që të nisim zyrtarisht betejën tonë ligjore kundër të gjithë atyre që na kanë mohuar jo vetëm pronën këto 33 vjet, por na kanë mohuar vetë të drejtën për të jetuar denjësisht jetën tonë, me mundin, djersën dhe punën tonë të ndershme, në vendin ku jemi lindur e rritur, ku janë lindur e rritur të parët tanë brez pas brezi. Tani nis çasti i vënies së të drejtës në vendin e saj, nëse vërtet ka drejtësi në SPAK”, sqarohet në njoftim.