Reshjet e dendura të orëve të fundit kanë krijuar disa vështirësi të përqendruara në disa zona të Qarkut Vlorë. Ky është njoftimi që vjen nga emergjencat civile në Vlorë, të cilat bëjnë me dije se strukturat vendore dhe emergjencat civile janë në gatishmëri dhe po punojnë për normalizimin e situatës.
Problematika janë hasur në fshatin Nivicë pasi është përmbytur banesa e shtetasit S.DH. Po në Bashkinë Himarë në fshatin Vishe, njëra anë e rrugës është bllokuar nga inertet e rrëshqitura.
Në Bashkinë Selenicë ka probleme me rrëshqitjen e dherave dhe inerteve në fshatin Brataj.
Në aksi rrugor Virion–Muzinë, pranë fshatit Mesopotam, lumi Bistricë ka dalë nga shtrati dhe niveli i ujit ka arritur rreth 50 cm, duke e bërë rrugën të pakalueshme. “Shërbimet e emergjencave në Prefekturë, bashkitë dhe Policia Rrugore janë vënë menjëherë në dijeni dhe po ndjekin situatën”, citohet në njoftim.
Sipas të dhënave zyrtare, problematika të tjera nuk janë raportuar deri në këto momente. Strukturat në të gjithë qarkun vijojnë monitorimin e situatës gjatë gjithë ditës.

