Dimri po afrohet, kanalet kulluese në Vlorë kthehen në “pyll orbital”

Dimri po afrohet, kanalet kulluese në Vlorë kthehen në “pyll orbital”

Teksa dimri po afron, po ashtu edhe shirat që vijnë bashkë me të, kanalet kulluese në Vlorë vijojnë të jenë të bllokuar. Bashkia Vlorë, bashkë me emergjencat civile dhe institucione të tjera, gjatë muajve të verës por edhe në vjeshtë, reklamuan pastrimin e disa kalaneleve të ujërave të larta.

Kanali i Siavit ishte ndër më të reklamuarit, ku prej ditësh u njoftua se po pastrohej, por ndërhyrje pati edhe në zona të tjera të qytetit.

Krerët e institucioneve njëzëri pohuan se problematika u zgjidh dhe tashmë kanalet kulluese dhe të ujërave të larta u pastruan. Por situata në terren duket ndryshe.

Gjurmon.al po ju sjell pamjen e një prej kanaleve në zonën e njohur si kthesa e Kaninës, ku duket qartë se situata është problematike.

Kanali është i papastruar dhe është kthyer në “pyll orbital”, pasi pemët që kanë mbirë në brendësi të tij kanë bllokuar gjithçka.

Kjo situatë nuk është vetëm në këtë segment të kanalit, por në një pjesë të madhe të gjatësisë së tij. Ndërhyrja është emergjente, pasi dimri po troket dhe shirat po ashtu.