Sheshpushimi për makinat në Sherishtë, kthehet në landfill ilegal mbetjesh

Sheshpushimi për makinat në Sherishtë, kthehet në landfill ilegal mbetjesh

Gjurmon.al muaj më parë ka raportuar për landfillin ilegal të krijuar në rrugën e lumit të Vlorës, në Sherishtë. Një sipërfaqe e madhe toke e projektuar për shesh pushim për mjetet, dita-ditës u kthye në një fushë mbetjesh.

Fillimisht u hodhën ilegalisht inerte e më pas i gjithë sheshi u mbush me mbetjet urbane. Në këtë landfill ilegal mund të gjeje çdo gjë nga mbetjet shtëpiake e deri te plastika.

Pavarësisht raportimit tonë dhe shqetësimit të ngritur nga banorët autoritetet nuk kanë reaguar. Mbetjet vijuan të shtoheshin duke zaptuar gjithë zonën, pasi shumë mbetje plastike janë përhapur edhe për shkak të erës.

Tashmë kjo fushë ilegale mbetjesh është rrethuar me tel me gjemba, nuk dihet se prej kujt. Po ashtu nuk dihet arsyeja as pse ëshë rrethuar, por fakt ëshë se mbetjet nuk po shtohen.

Nga ana tjetër autoritetet duhet të ndërhyjnë për të pastruar këtë zonë. Kjo fushë mbetjesh shihet prej mijëra qytetarëve që kalojnë në këtë rrugë, por edhe nga turistët e shumtë që zgjedhin të kalojnë nga ky segment.

Ndoshta duhet të presim nisjen e fushatës që kandidatët e partisë në pushtet të shkojnë të kërkojnë votën në fshatra dhe të shohin këtë problematikë që banorë kërkojnë zgjidhje.