Komiteti i Investimeve Strategjike i jep dritën jeshile projektit që do të ndërtohet në zonën e Pashalimanit dhe mbi qytetin antik të Orikumit

Komiteti i Investimeve Strategjike i jep dritën jeshile projektit që do të ndërtohet në zonën e Pashalimanit dhe mbi qytetin antik të Orikumit

“Pashalimani Laguna Resort”, pritet që të ngrihet shumë shpejt në zonën e sotme ushtarake në Pashaliman dhe mbi qytetin antik të Orikumit. Komiteti i Investimeve Strategjike ka marrë vendimin për t’i dhënë dritën jeshile një projekti prej 21 milionë Eurosh që pritet të investohen në këtë zonë.

Sipas vendimit të KIS projekti i investimit propozohet të realizohet nga subjekti aplikues “Meta Resorts Albania” sh.p.k NUIS M11823016 dhe synon që të ndërtojë në një sipërfaqe totale prej rreth 25 Ha, në zonën e Pashaliman dhe Orikum.

Projekti i investimit propozohet si një projekt i integruar zhvillimi në të cilin parashikohet restaurimi/rijetësimi i strukturave historike të objekteve ekzistuese në zonën e Parkut Arkeologjik të Qytetit Antik të Orikut ashtu si edhe zhvillimin në zonën e Lagunës, nëpërmjet ankorimit në tokë të strukturave lundruese (vila druri) së bashku me strukturat e kalimit. Gjithashtu në funksion të realizimit të këtij projekti synohet vënia në dispozicion e bregut të detit në Kepin e Shën Gjergjit”, sqarohet në vendim.

Më tej thuhet se “gjurma e synuar i mbivendoset qytetit antik të Orikumit, dhe Lagunës në juglindje të tij. Qyteti Antik Orikut është shpallur Park Arkeologjik. Ky i fundit ka statusin Monument Kulture Kategoria I”.

Ndërtimi nuk do të prek vetëm pjesën antike, por edhe zonën e mbrojtur në Pashaliman, pasi sipas vendimit gjurma e ndërtimit do të shtrihet në Kepin e Shëngjergjit, që bën pjesë në zonën e mbrojtur Rezervat Natyror i Menaxhuar “Karaburun” (kategoria IV).

Gjurma e synuar, përveç që mbrohet nga legjislacione të posaçme, është gjithashtu pjesë e listës së inventarit të pronave në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes. Gjurma prek pronën nr.1314, me emërtim “Ish Flotilja Detare Jugore”, Pashaliman, Vlorë, por nuk bën pjesë në Planin e Vendosjes dhe Përhapjes së Forcave të Armatosura, miratuar me Dekretin e Presidentit të Republikës, nr. 24, datë 03.02.2025”, sqarohet më tej.

Në vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike theksohet se privati do të marrë prona të shumta të ushtrisë në Pashaliman për t’i kthyer ato në struktura akomoduese ose shërbimesh të tjera.

Marrëveshja do t’i mundësojë investitorit strategjik marrjen në përdorim, rijetëzimin/restaurimin e ish-godinave ushtarake, si dhe ankorimin e strukturave lundruese në Lagunë, sipas projektit të propozuar. Marrëveshja do të parashikojë vlerësimin optimal dhe rikuperimin e hapësirave ekzistuese, me fokus të veçantë në mbrojtjen absolute të pasurive arkeologjike, pasi në zonën arkeologjike nuk do të lejohet ndërtimi i asnjë strukture të re në tokë. Godinat ekzistuese do të restaurohen dhe rinovohen. Strukturat akomoduese do të

ndërtohen prej druri dhe do të vendosen mbi platforma lundruese (palafitte) në Lagunë, duke garantuar se nuk do të ketë ndikim mjedisor dhe dëmtim të shtresës së poshtme të saj”, sqarohet më tej.

Por ajo që bie në sy në vendimin disa faqësh të KIS, është fakti që shteti do të jetë aksionet në këtë sipërmarrje. “Forma e pjesëmarrjes së shtetit në këtë investim do të realizohet nëpëmjet krijimit të një entiteti juridik të përbashkët të përbërë nga Korporata e Investimeve Shqiptare (AIC)/entitet i autorizuar prej saj, në cilësinë e palës shtet dhe subjektit “Meta Resorts Albania” sh.p.k. NUIS M11823016C”, citohet në dokument.

Ndërkohë strukturat shtetëtore kanë nisur punën për të bërë të gjitha procedurat që trualli ku do të ndërtohet restorti të regjistrohet në Kadastër dhe më pas t’i kalojë privatit pa asnjë kosto.