Studiuesi Auron Tare ka denoncuar në rrjetet sociale ndërtimin e një lavazhi automjetesh pranë Shpellës së Spilesë në qendër të Himarës, monument kulture. Tare shkruan se kjo shpellë është shumë e rëndësishme për trashëgimin kulturoere dhe është reklamuar nga vetë autoritetet, por është lënë në harresë.
“Imagjinojeni në një shtet tjetër një mrekulli të tillë ku historia e Homerit tregohet ende nga banorët. Sa e rëndësishme do ishte për trashëgiminë e zonës por edhe për turizmin kulturor”, shkruan studiuesi.
POSTIMI I PLOTË I AURON TARES:
Një qytetar i Himarës ka postuar një video nga Shpella e Spilesë. Një Monument Kulture i Shpallur i tillë që në vitin 1963. Ka disa rrëfenja interesante kjo Shpellë më e bukura sigurisht është ajo me Uliksin e Homerit. Sipas rrëfenjave të himariotëve të vjetër këtu jetonte Polifemi me një sy.

Ishte këtu ndodhia e Uliksit/Odhisesë ku heroi i Trojës mundi të shpëtonte nga Polifemi duke u kapur pas deleve të tij dhe arriti të dilte nga Shpella. Në vitet ’70 një ekspeditë modeste arkeologjike gjeti sasi të konsiderueshme qeramike duke konfirmuar rëndësinë e saj.
Imagjinojeni në një shtet tjetër një mrekulli të tillë ku historia e Homerit tregohet ende nga banorët. Sa e rëndësishme do të ishte për trashëgiminë e zonës por edhe për turizmin kulturor. Në fakt vetë Bashkia e Himarës në sitin e saj zyrtar citon rëndësinë e madhe kulturore të kësaj Shpelle. Ndërkohë pamjet flasin vetë.
Vetë autoritetet janë kujdesur për të treguar se kjo shpellë është një monument kulture, por pjesë e dytë të pllakatës “që mbrohet nga shteti” nuk e zbatojnë.
Shpella e Spilës në Himarë, e njohur ndryshe si “Shpella e Odiseut” dhe e shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë, po përballet me një akt të rëndë shkatërrimi dhe betonizimi, në shërbim të një biznesi privat.

