Qindra hektarë pyje, bimësi, shkurre e pemë frutore, bashkë me banesa, stane e bagëti janë djegur gjatë ditëve të fundit në qarkun e Vlorës. Nga Delvina në Shashicë, Borsh e Dukat e fshatra të tjerë do të jenë pa bimësi për disa vite, pasi tashmë kodrat janë nxirë nga ajo që kanë lënë pas zjarret.
Situata në ditët e fundit ka qenë e rënduar në kushtet e një emergjence, pasi flakët ishin përhapur nga disa drejtime. Këtë të diel, fal ndërhyrjeve edhe nga vendet e huaja me avion e personel në terren, është bërë i mundur vendosja nën kontroll e flakëve, por sërish nuk është ende momenti për të festuar.
Zyrtarët e lartë të shtetit që ishin në terren për të ndjekur nga afër situatën ngritën dyshime se zjarrvëniet kanë qenë të qëllimshme dhe autorët do të vihen përpara drejtësisë.
Por pavarësisht këtyre deklaratave deri më tani vetëm 2 persona janë vënë nën hetim për zjarrvënie të qëllimshme. Policia e Shtetit në një njoftim për mediat bën me dije se është zbuluar autori i dyshuar i zjarrit në Shashicë dhe autori i dyshuar i zjarrit në Finiq.
“Ndalohet një shtetas për zjarrvënie të qëllimshme gjatë pastrimit të territorit, që shkaktoi djegien e një sipërfaqeje të madhe me bimësi në malin e Shashicës”, njoftojnë uniformat blu duke shtuar se është proceduar penalisht dhe “një 59-vjeçar, për zjarrvënie në malin e Finiqit”.

