Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i shoqëruar nga Drejtori i Policisë së Tiranës, Elton Alushi, ka vizituar sot në repartin e djegieve në QSUT shefin e Komisariatit të Policisë së Delvinës, Komisar Agim Troci, i cili u plagos rëndë nga flakët gjatë përpjekjeve për të shpëtuar disa të moshuar të bllokuar nga zjarri në fshatin Vergo të Delvinës.
Troci u përfshi nga flakët gjatë operacionit të evakuimit të banorëve dhe u transportua me helikopter drejt Tiranës, ndërsa ndodhet nën kujdes të specializuar mjekësor. Vizita e drejtuesve më të lartë të Policisë së Shtetit erdhi si një shenjë respekti dhe vlerësimi për aktin heroik të një prej oficerëve që nuk hezitoi të vihej në rrezik për të shpëtuar jetë njerëzish.
“Komisar Troci mishëron më së miri shpirtin e sakrificës dhe përkushtimit të Policisë së Shtetit. Ai veproi me guxim, për të mbrojtur jetën e qytetarëve në një situatë të rrezikshme. E falënderoj për këtë akt fisnik dhe i uroj shërim të shpejtë,” u shpreh drejtori Proda, duke vlerësuar gjithashtu edhe efektivët e tjerë të Komisariatit të Delvinës, përfshirë nënkomisarin Eridion, i cili ka pësuar asfiksi dhe po trajtohet në spitalin e Delvinës, si dhe forcat e Komisariatit të Policisë Sarandë që kanë mbështetur në terren.
Sipas Prodas, falë ndërhyrjes së shpejtë dhe guximit të punonjësve të Policisë, janë shpëtuar dhjetëra jetë qytetarësh, kryesisht të moshuar, të cilët janë nxjerrë në kohë nga banesat e tyre dhe janë evakuuar jashtë zonave të rrezikut.
Në zonat e përfshira nga flakët, përfshirë Senicën, Vergon dhe Kopaçezin, vijon ndërhyrja intensive e forcave zjarrfikëse, emergjencave civile, ushtrisë dhe Policisë së Shtetit për neutralizimin e vatrave aktive dhe për garantimin e sigurisë së banorëve.
Drejtori i Policisë së Vlorës, Elidon Çela, ndodhet gjithashtu në terren, duke ndjekur nga afër menaxhimin e situatës. Policia e Shtetit apelon për kujdes maksimal nga qytetarët, duke i kujtuar se çdo veprim i pakujdesshëm mund të sjellë pasoja të rënda. Institucioni njofton gjithashtu se po punon intensivisht për të identifikuar dhe ndëshkuar penalisht autorët e zjarrvënieve të qëllimshme në disa qarqe të vendit, ku në disa raste tashmë janë bërë arrestime në flagrancë.


