Nga Arben Malaj*: 830 hektarë gjelbërim për impiante diellore? Mjedisi nuk është çmim që duhet paguar për zhvillimin! Uroj që ky lajm të mos jetë i vërtetë. Nëse është, atëherë kemi të bëjmë me një alarm serioz – jo vetëm për Kaninën, por për gjithë ata që jetojnë nga toka dhe duan një Shqipëri të gjelbër.
Po, energjitë e rinovueshme janë e ardhmja dhe mbështetja për to është e domosdoshme. Por shkatërrimi i 830 ha pyje e kodra është i pajustifikueshëm, kur teknologjia përparon me shpejtësi marramendëse dhe nesër mund të prodhojmë të njëjtën energji në më pak se 1/3 e kësaj sipërfaqeje.
Nxitimi i pakuptimtë për të zaptuar hapësira të mëdha të gjelbërta mund të ketë pasoja: Prishja e qindra pronave dhe bizneseve vendase. Dëme të mëdha mjedisore dhe ekologjike. Përfitime abuzive për interesa të veçanta.
Sot, kostoja e energjisë diellore është 75% më e ulët se në 2014. Në 2023, 81% e kapaciteteve të reja të energjisë ishin më të lira se nafta dhe qymyri. Investimet globale në energji të pastër do të kapin 450 miliardë USD vetëm këtë vit.
Shkenca po ecën më shpejt se kurrë. Le ta ndjekim pa dëmtuar natyrën dhe të ardhmen e brezave që do të jetojnë në këtë vend. Shqipëria ka plot mundësi, por jo për të shkatërruar mjedisin në emër të “zhvillimit”.
*Ish-ministër i Financave

