Shkolla 9-vjeçare në fshatin Akërni po humbet shkëlqimin e dikurshëm. Të dhënat e fundit që janë publike për numrin e nxënësve datojnë për vitin shkollor 2015-2016, ku numëroheshin 77 fëmijë që mësonin në këtë shkollë.
Por emigracioni ka gërryer edhe numrin e nxënësve në këtë shkollë, ku banorët e fshatit flasin për përgjysmim të numrit të fëmijëve që mësojnë këtu.
Kjo duket se ka ndikuar në mospasjen e vëmendjes së autoriteteve për të investuar, pasi situata flet qartë se dora e shtetit ka kohë që nuk është prezente në këtë ambient.
Gjurmon.al e vizitoi këtë shkollë pak ditë më parë, ku pamjet flasin vetë. Godina nuk i ngjason një shkolle, as oborri dhe as fusha sportive, pasi investimet mungojnë.
Kjo shkollë mban emrin e Reshit Hoxhës, dëshmor, dhe duket se kjo shkollë po bëhet dëshmore e emigracionit dhe e braktisjes si nga banorët e fshatit por edhe nga shteti.

