Akërnia është një fshat i vogël shumë pranë aeroportit të ri që po ndërtohet në Vlorë dhe nuk dihet se kur do përfundojë. Jo vetëm shumë pranë aeroportit, por qindra metra larg edhe nga autostrada Fier-Vlorë.
Por kjo afërsi si me aeroportin dhe me rrugën kryesore nuk ka sjell zhvillim për këtë fshat. Për të arritur në Akërni është tepër e lehtë, pasi ka akses direkt në rrugën Fier-Vlorë.
Hyrja në fshat nuk të jep ndjesi pozitive, gjithçka e vjetër, askush në rrugë, qetësi shqetësuese.
Në rrugicat e fshatit ishte e vështirë të gjeje banorë, trokitja në dyer na përballi vetëm me të moshuar. Ata pohuan për Gjurmon.al se aeroporti nuk u ka sjell ende zhvillim, pasi përveç rrugës kryesore asgje tjetër nuk është ndërtuar.
Gjendja e rrugëve të brendshme ishte problematike, pasi asnje segment nuk ishte i shtruar me asfalt. Pamjet flasin vetë, ku shihet qartë se fshati mbulohet me pluhur sa herë që një mjet kalon aty.
Ky fshat i ndodhur mes aeroportit dhe rrugës kombëtare kërkon investime dhe zhvillim, pasi deri tani duket si i braktisur teksa miliona Euro po shpenzohen për ndërtimin e aeroportit.

